Psalmet 35:1-10
Psalmet 35:1-10 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Gjuko, o Zot, ata qi gjukohenë me mue, lufto ata qi më luftojënë. Rrok armë e mburonjë, edhe ngreu të më ndimojsh. Edhe kap shtizënë, edhe zen’ udhën’ e atyneve qi më ndiekinë; thuei shpirtit t’em: Unë jam shpëtimi yt. U turpënofshin’ e u marrofshin’ ata qi kërkojënë shpirtinë t’em; u këthefshinë mbrapazë, edhe u turpënofshin’ ata qi mendojënë keq për mue. U bafshinë porsi byk ndë sy të erësë, edhe engjulli i Zotit i ndiektë. U baftë udha e atyne errësinë e rrëshqitë, edhe engjulli i Zotit i ndiektë. Sepse pa ndonji farë pune mpëshefnë kurthin’ e vetndë gropë për mue, pa ndonji farë pune mihnë atë për shpirtinë t’em. Arthtë prishëje mb’atë, pa mos ditun’ atë, edhe kurthi qi mpëshefi, zantë atë, edhe raftë nd’ atë për prishëje. Por shpirti em ka me u gëzuem për Zotinë, edhe ka me u gazmuem për shpëtimin’ e ati. Gjith’ eshtënat’ e mia kanë me thanë: Zot, cilli të gjan tyi, qi shpëton të vobegunë prei dorësë ma të fortit, edhe të vobegun’ edhe të nevojëshiminë prei ati qi e rrëmben?
Psalmet 35:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kundërshtoji, o ZOT, kundërshtarët e mi, lufto kundër atyre që më luftojnë. Rrok shqytin dhe mburojën e ngrihu të më ndihmosh. Vringëlloje shtizën dhe heshtën kundër atyre që më përndjekin, thuaji shpirtit tim: «Unë jam shpëtimi yt». U turpërofshin e u poshtërofshin ata që kërkojnë të më marrin jetën, u kthefshin pas të turpëruar ata që kurdisin ligësi kundër meje. U bëfshin si byku që e merr era, i ndjektë pas engjëlli i ZOTIT. U bëftë e errët dhe shkarëse udha e tyre, kur t'u jetë vënë pas engjëlli i ZOTIT. Se pa shkak më kanë ngritur kurth, pa shkak ia kanë hapur gropën shpirtit tim. U ardhtë papritur shkatërrimi, rënçin në rrjetën që vetë e ngritën, u plandosshin e u shkatërrofshin. E shpirti im do të gëzojë me ZOTIN, do të ngazëllejë për shpëtimin e tij. Tërë kockat e mia do të thonë: «Kush është si ti, o ZOT? Ti e shpëton të mjerin prej më të fortit, të vobektin e skamnorin prej plaçkitësit».
Psalmet 35:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje. Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh. Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt". Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje. U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë. Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë. Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën. Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërrimin tim. Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij. Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".