Psalmet 31:9-16
Psalmet 31:9-16 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Përdëlle-më, o Zot, sepse jam ndë shtrëngim: prei idhënimit u vyshk syni em, shpirti em, edhe barku em. Se shkova jetënë t’eme ndë të dhimptuna, edhe viet’ e mi ndë shamëtima, fuqia eme m’u këput prei së vueituni, edhe eshtënat’ e mia u tuntnë. U bashë shpërnderim ndë gjith anëmiqt e mi, edhe ma tepërë ndë fëqinjt e mi, edhe frikë ndë të ngjofunit e mi, ata qi më shifshinë jashtë ikshinë prei meje. U harrova prei zemërës’ atyne, porsi i vdekunë, u bashë porsi an’ e humbunë. Se ndëgjova shpërnderimin’ e të shumëvet: ishte frikë mbë gjith anët, kur këshilluen’ ata kundrë meje, vunë ndër mend me më ngritunë jetënë. Por unë shpëreva mbë tyi, o Zot, thashë: Ti je Perëndia em. Kohënat’ e mia janë ndë duer të tua: liro-më prei dorës’ anëmiqvet mi, edhe prei atyne qi më ndiekinë. Ndrit faqenë tande te shërbëtori yt: shpëto-më për përdëlliminë tand.
Psalmet 31:9-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Nuk më le të bie në dorë të armiqve, këmbët m'i vure në vend të gjerë. Mëshiromë, o ZOT, se jam ngushtë, nga brenga po më treten sytë, shpirti e trupi. Jeta po më mpaket në hidhërim e vitet po kalojnë mes lëngatash, më kanë lënë fuqitë prej paudhësisë e kockat po më treten. Jam bërë tallje për të gjithë armiqtë e shumë më tepër për fqinjët. Jam kthyer në tmerr për të njohurit e sa më shohin rrugës, ikin. Më kanë harruar fare, si të isha i vdekur, jam bërë porsi enë e thyer. Shpifjet e shumë njerëzve i dëgjova, tmerr nga të gjitha anët, janë bërë bashkë kundër meje, po kurdisin jetën të ma marrin. Por unë shpresoj te ti, o ZOT, e them: «Ti je Perëndia im!». Në duart e tua janë motet e mia, shpëtomë nga dora e armiqve të mi e prej atyre që më përndjekin.
Psalmet 31:9-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja, sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten. Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmerr për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje. Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer. Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur. Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im". Ditët e mia janë në dorën tënde; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin. Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.