Psalmet 145:13-21
Psalmet 145:13-21 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Mbëretënia jote ashtë nji mbëretëni e gjithë jetëvet, edhe pushteti yt ashtë mbë gjithë brezat. Zoti ngre gjith’ ata qi bienë, edhe dreiton gjith’ ata qi janë të kurrusunë. Syt’ e të gjithëve shpërejënë mbë tyi, edhe ti u ep ushqiminë me kohë. Hap dorënë tande, edhe mbush me të mira çdo gja të gjallë. Zoti asht’ i dreitë mbë gjith’ udhët e veta, edhe i mirë mbë gjithë punët e veta. Zoti ashtë ndaj gjith’ ata qi thërresinë mb’ate, ndaj gjith ata qi thërresinë mb’ate me të vërtetë. Ban dëshërimin’ e atyne qi e druejënë, edhe ndigjon të bërtitunit’ e atyne, edhe i shpëton. Zoti ruen gjith’ ata qi e duenë, edhe ka me prishunë gjithë të pa-besëtë. Goja eme ka me folë lavdurimin’ e Zotit, edhe çdo mish le të bekojë të shenjtënuemin’ emënin’ e ati për gjithë jetënë, edhe për gjithë jetënë.
Psalmet 145:13-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mbretëria jote është mbretëri e amshuar, pushteti yt është brez pas brezi. ZOTI i përkrah tërë ata që pengohen e i ngre tërë të kërrusurit. Të gjithë i kanë sytë nga ti e presin, që t'u japësh ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën dhe çdo qenieje të gjallë ia plotëson dëshirën. I drejtë është ZOTI në gjithë udhët e tij, besnik në të gjitha veprat e tij. ZOTI është pranë të gjithë atyre që e thërrasin, të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi. Ua plotëson dëshirën atyre që e druajnë, ua dëgjon përgjërimin e i shpëton. ZOTI i mbron të gjithë ata që e duan, ndërsa tërë të paudhët do t'i shkatërrojë. Goja ime do të shpallë lavdërim për ZOTIN, çdo gjallesë do të bekojë emrin e tij të shenjtë, përjetë e në amshim.
Psalmet 145:13-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbretëria jote është një mbretëri përjetë dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi. Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar. Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë. Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij. Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë. Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton. Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët. Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qenie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.