Psalmet 14:1-7
Psalmet 14:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Thotë i marri në zemrën e tij: «S'ka Perëndi». Të gjithë janë shthurur e bëjnë vepra të neveritshme, askush nuk bën të mirën. Prej qiellit ZOTI i vështron njerëzit, për të parë në ka ndonjë të mençur që kërkon Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha, të gjithë janë shthurur, askush nuk bën të mirën, as edhe një. A nuk janë të pamend të paudhët, që e gëlltisin popullin tim si bukën dhe ZOTIN nuk e thërrasin? Por ja, do të dridhen nga tmerri, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë. Ju doni të shkatërroni shpresat e skamnorit, por streha e tij është ZOTI. Kush do ta sjellë prej Sionit shpëtimin e Izraelit? Kur ZOTI ta kthejë popullin e vet nga robëria, do të gëzojë Jakobi, do të ngazëllejë Izraeli.
Psalmet 14:1-7 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Tha i marri ndë zemërët të vet: S’ka Perëndi. U prishnë edhe u ndynë ndë punët, s’ka kush me bamë mirë. Zoti u kurrus prei qiellit mbë të bijt e njerëzëvet, për me pamë ndë ashtë ndonji qi kupëton, a qi kërkon Perëndinë. Të gjithë u përvarnë mbë-nj’-anë, edhe u banë të pavëjefshim bashkë, s’ka kush me bamë mirë, s’ka asnji. S’kanë mend gjith ata qi punojënë pa udhë, ata qi hanë popullinë t’em, porsi kapshatë buke nukë thirrnë Zotinë. Atie u hyni frik’ e madhe, se Perëndia ashtë ndë brest të dreitëvet. Turpënuetë këshillen’ e të vobegut, por Zoti ashtë mpështetëja e ati. Kush ka me dhanë kah Siona shpëtimin’ e Israelit? Kur të këthejë Zoti popullin’ e vet prei robënisë, ka me u gëzuem Iakobi, edhe ka me u gazmuem Israeli.
Psalmet 14:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën. Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjëri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë. Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një. Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit? Atje do t'i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë. Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij. Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.