Psalmet 119:97-105
Psalmet 119:97-105 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Sa shumë e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e përsiat! Urdhërimi yt më bën më të urtë se armiqtë, se është përherë me mua. Jam më i ditur se të gjithë mësuesit e mi, sepse dëshmitë e tua janë përsiatja ime. Jam më i mençur edhe se pleqtë, sepse mbaj porositë e tua. I kam shmangur këmbët nga çdo udhë e keqe, që të ruaj fjalën tënde. Prej vendimeve të tua nuk jam shmangur, sepse më ke mësuar ti. Sa të ëmbla fjalët e tua për qiellzën time, më të ëmbla se mjalti në gojën time! Prej porosive të tua bëhem më i mençur, prandaj e urrej çdo udhë të gënjeshtërt. Fjala jote është llambë për këmbën time, dritë për shtegun tim.
Psalmet 119:97-105 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Sa e du ligjënë tande! Gjithë ditën’ e shkoj ndër mend. Më bane ma të mençim se anëmiqt’ e mi, me anë t’urdhënimevet tu, se janë përherë bashkë me mu. Jam ma i mençim se gjith’ ata qi më mësojënë, se shkoj ndër mend deshmimet’ e tu. Jam ma i mençim se pleqtë, se ruita porosit’ e tua. Ndala kambët’ e mia prei çdo udhë të keqe, për me ruitunë fjalënë tande. Nukë dola jashtë prei gjyqesh tu, se ti më mësove. Sa të ambëla janë fjalët’ e tua ndë gurmast t’em! Ma tepërë se mialta ndë gojët t’eme. Prei porosivet tua u bana i mençim, përandai mora mëni çdo udhë të shtrembëtë. Fjala jote ashtë kandile ndër kambët të mia, ende dritë nd’udhët të mia.
Psalmet 119:97-105 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. Kam më tepër zgjuarsi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua. Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde. Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar. Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time. Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti. Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.