Psalmet 11:1-7
Psalmet 11:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Te ZOTI kam gjetur strehë, si mund të më thoni: «Ik maleve si zogu?». Ja, të paudhët e ngrehin harkun, mbi kordhë vënë shigjetën, që nëpër errësirë të gjuajnë mbi ata që janë zemërdrejtë. Po të shemben themelet, i drejti ç'mund të bëjë? ZOTI është në tempullin e tij të shenjtë, ZOTI e ka fronin në qiell, sytë e tij vëzhgojnë, qepallat e tij rrinë hapur mbi bijtë e njerëzve. ZOTI vë në provë të drejtin e të paudhin, e urren atë që dëshiron dhunën. Mbi të paudhët do të lëshojë fatkeqësi, zjarr e squfur, në kupë do të kenë për hise erë përvëluese. Se ZOTI është i drejtë, ai e do drejtësinë. I drejti do ta shohë fytyrën e tij.
Psalmet 11:1-7 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Vuna shpresënë mbë Zotinë, qysh i thoni shpirtit t’em: Ik ndë mal’ tuei, porsi zok? Sepse, shif të pa-besëtë te ngrefnë harkunë, banë gati shigjetat’ e veta mbi kordhëzënë, për me shigjetuem ndë errësinë zemërë-dreitëtë. Ndë u rrënofshinë themeletë, i dreiti qish mundetë me bamë? Zoti ashtë ndë të shenjtënueshiminë tempullin’ e vet, Zoti ka shkambin’ e vet ndë qiell; syt’ e ati shofinë, qerpikët’ e ati shikojënë të bijt’ e njerëzëvet. Zoti shikon të dreitinë, por shpirt’ i ati ka mëni të pa-besin’ edhe atë qi do të shtrembëtënë. Do të bajë me ranë shi kurthash mbi të pa-besët; ziarrm, e surfullë, e erë e fortë ashtë piesa e potirit atyneve. Se Zoti asht’ i dreitë, edhe do dreitëni: syni i ati shef të dreitënë.
Psalmet 11:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Unë gjej strehë te Zoti; si mund t'i thoni shpirtit tim: "Ik në malin tënd, si një zog i vogël"? Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t'i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra. Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti? Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejt; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve, Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën. Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre. Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.