Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 103:6-22

Psalmet 103:6-22 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Zoti u ban dreitëni e gjyq gjith’ atyneve qi u bahetë pa-udhë. I diftoi udhët’ e veta Moiseut, edhe punët’ e veta të bijvet Israelit. Zoti asht’ i dhimpshim e i përdëllyeshim, zemërëgjan’ e përdëllim-math. S’ka me u zemëruem përherë, as s’ka me mbaitunë mëni për gjithë jetënë. Nukë na e bani mbas pa-udhënivet t’ona, as na e shpagoi mbas fajevet t’anë. Se sa i naltë ashtë qielli prei dheut, kaqi i math ashtë përdëllim’ i ati mb’ata qi e kanë frikë. Sa dan të lemit’ e diellit prei të perënduemit, kaqi largoi prei nesh paudhënitë t’ona. Sikurse i dhimbet atit për dielmt, kështu i dhimbet’ edhe Zotit për ata qi e kanë frikë. Se ai ngjef krijesënë t’onë, e mba mend se jemi baltë. Ditt e njeriut janë porsi bari, porsi luleja e fushësë, kështu lulëzon. Se shkon era mb’ate, edhe s’ashtë ma, edhe vendi i ati s’e ngjef ma. Por përdëllimi i Zotit ashtë jetë mbas jete mb’ata qi e kanë frikë, edhe dreitënia e ati mbë bijt e të bijvet, qi ruejënë dhiaten’ e ati, edhe mbanë mend urdhënimet’ e ati për me i bamë. Zoti bani gati shkambin’ e vet ndë qiell, edhe mbëretënia e ati zotënon mbi të gjitha. Bekoni Zotinë, ju engjujt’ e ati, të fortë me fuqi, ju qi bani fjalën’ e ati, ju qi ndigjoni zanin’ e fjalës’ ati. Bekoni Zotinë, ju gjithë fuqiat’ e ati, ju punëtorët’ e ati, qi bani dashunimin’ e ati. Bekoni Zotinë, ju gjithë punët’ e ati, mbë çdo vend të pushtetit ati. Beko Zotinë, o shpirti em.

Psalmet 103:6-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve. Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij. Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë. Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona. Sepse sa të lartë janë qiejt mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona. Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur. Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës; në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më. Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve, për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t'i zbatuar në praktikë. Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejt, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka. Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij. Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij. Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!