Psalmet 10:12-18
Psalmet 10:12-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ngrihu, o ZOT, ngrije dorën, o Perëndi, e mos i harro skamnorët. Pse i paudhi e përçmon Perëndinë e thotë me vete: «Ti nuk do të më shqyrtosh?». Por ti ke parë, se ti e sheh ligësinë dhe brengën, ti i peshon me dorën tënde. Te ti mbështetet fatkeqi, ti je ndihmësi i jetimit. Thyeja krahun të paudhit e të ligut, hetoje për paudhësinë gjer në fund. ZOTI mbretëron përjetë, por kombet zhduken nga toka e tij. Dëshirën e të përulurve ti e dëgjon, o ZOT, ua forcon zemrën e bën kujdes, që t'i japësh të drejtë jetimit e të shtypurit, që njeriu i dheshëm të mos tmerrojë më askënd.
Psalmet 10:12-18 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Ngreu, o Zot, o Perëndi, nalto dorënë tande, mos harro të nevojëshimitë. Për ç’punë zemëroi Perëndinë i pa-besi? Tha ndë zemërët të vet: S’ke me kërkuem. Pe, se ti ve ore të shtrembëtën’ edhe të shamitë, qi ta shpagueish me dorënë tande; i vobegu lihetë ndë dorët tande, ti je ndifmësi i të vorfënit. Dërrmo krahin’ e të pa-besit edhe të keqit, kërko fajin’ e ati, nder sa të mos gjejsh ma. Zoti ashtë mbëret ndë jetë të jetësë, kombetë kanë me u bierrë prei dheut ati. Ndëgjove dëshërimin’ e të nevojëshimëvet, o Zot, ke me bamë gati zemërën’ e atyne, ke me vumë vesh, qi të gjukojsh të vorfënin’ edhe të përungjëtinë, nder sa të mos mundojë ma njeriu i dheut.
Psalmet 10:12-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Çohu, o Zot; o Perëndi, ngre dorën tënde; mos i harro të mjerët. Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: "Ti nuk do t'i kërkosh llogari". Por ti e ke parë, sepse ti vëren me kujdes ligësinë dhe pikëllimin, për ta larë më pas me dorën tënde; fatkeqi i ka shpresat te ti; ti je ai që ndihmon jetimin. Thyeja krahun të pabesit dhe të ligut; në rast se ti do të kërkosh ligësinë e tij, nuk do ta gjesh më. Zoti është mbret përjetë; kombet janë zhdukur nga toka e tij. O Zot, ti dëgjon dëshirën e njerëzve të përulur; ti e fortëson zemrën e tyre, veshët e tu janë të vëmendshëm, për t'i dhënë të drejtë jetimit dhe të pikëlluarit, me qëllim që njeriu i krijuar nga dheu të mos kallë më tmerr.