Fjalët e urta 9:1-12
Fjalët e urta 9:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet, ia latoi shtatë shtyllat. Theri theroret, përzjeu verën e shtroi tryezën. Dërgoi shërbëtoret e veta dhe shpall nga majat e lartësive të qytezës: «Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!». Të pamendëve u thotë: «Ejani, hani bukën time e pini verën që kam përzier unë! Hiqni dorë nga marrëzitë e do të jetoni. Ecni udhës së arsyes!». Kush ndreq shpotitësin, turpërohet, kush hahet me të prapin, lëndohet. Mos e ndreq shpotitësin, që mos të të urrejë. Ndreqe të urtin e ai do të të dojë. Jepi këshilla të urtit e do të jetë edhe më i urtë. Mësoje të drejtin e do t'i shtohet mençuria. Fillimi i urtisë është droja e ZOTIT; njohja e të Shenjtit, kjo është mençuria. Falë meje do të shtohen ditët e tua e do të shumohen vitet e jetës sate. Në do të jesh i urtë, do të jesh për vete, Në do të jesh shpotitës, për vete do të jesh.
Fjalët e urta 9:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj. Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj. Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret: "Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë: "Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier. Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes". Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara. Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë. Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij. Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia. Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete. Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t'i kesh vetëm ti.