Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 31:10-30

Fjalët e urta 31:10-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

A ka kush e gjen një grua të zonjën? Më e çmuar se margaritarët vlera e saj. Besim ka tek ajo zemra e burrit të saj e nuk do t'i mungojë fitimi. Gëzim i jep ajo e jo hidhërim, në të gjitha ditët e jetës së saj. Del e gjen li e lesh, duart i vë në punë me zell. Hiqet porsi anije tregtare që sjell ushqim së largu. Vetë zgjohet që me natë, për t'i dhënë ushqim shtëpisë e detyrat shërbëtoreve. Zë e mendon për një arë dhe e blen, me çfarë ka fituar, mbjell vreshtin. Hedh brezin ijëve tërë fuqi, fort u jep krahëve. Të mbarën e punës së vet shikon e natën llamba e saj nuk shuhet. Ja, shtrin dorën e merr furkën, boshtin në pëllëmbë e mban. Kundrejt skamnorit hap krahët, kundrejt nevojtarit shtrin dorën. Le të mos trembet nga dëbora, se e gjithë familja ka nga dy petka. Mbulojë thur për vete, vishet me li e mëndafsh. Njeri i njohur është i shoqi në qytet, kur rri me krerët e vendit. Sajon petka liri për të shitur, u jep tregtarëve breza. Ajo është veshur me forcë e nder, e pret të ardhmen buzagaz. Përherë gojën me urti e hap e gjuha e saj është mësim mirësie. Caqet e shtëpisë së vet vëzhgon e nuk ha bukën e përtacisë. Qëndrojnë lart bijtë e saj dhe e lavdërojnë, i shoqi e përlëvdon kështu: «Rangë kanë bërë shumë gra, por të gjithave ua ke kaluar!». Shtirake është hijeshia dhe e kotë bukuria, por gruaja që druan ZOTIN do të lavdërohet.

Fjalët e urta 31:10-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve. Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime. Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj. Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta. Ajo u përngjan anijeve të tregtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg. Çohet që me natë për t'i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t'u dhënë urdhrat e nevojshme shërbëtoreve të saj. Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht. Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj. E kupton që tregtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet. Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbët e saj zënë boshtin. I shtrin dorën të varfrit dhe i jep dorën nevojtarit. Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë. Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta. Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit. Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët. Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë. Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë. Ajo mbikëqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë. Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë: "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato". Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.