Fjalët e urta 12:11-23
Fjalët e urta 12:11-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kush punon tokën e vet do të ngihet me bukë, kush rend pas kotësive është i pamend. Dëshira e keqbërësit është rrjetë prapësish, rrënja e të drejtëve lulëzon. Buzët e përdala janë kurthi i të ligut, por i drejti do të shpëtojë nga ankthi. Njeriu ngihet me të mirat që nxjerr nga goja, secili shpërblehet sipas veprave që bën. I marri kujton se sillet drejt, por kush dëgjon këshillën është i urtë. I marri e tregon qartë zemërimin e vet, ndërsa i mprehti e fsheh turpërimin. Kush thotë të vërtetën, shpall drejtësinë, por dëshmitari i rremë, mashtrimin. Kush flet pa menduar është si shpatë therëse, por gjuha e të urtëve është shërim. Goja e së vërtetës, qëndron përgjithmonë, por gjuha gënjeshtare vetëm për pak. Në zemrën e mendjekëqijve ka mashtrim, këshilltarëve të paqes u takon gëzimi. Të drejtin nuk do ta zërë asnjë mjerim, ndërsa të paudhët do të jenë mbushur me të këqija. Buzët gënjeshtare i neveriten ZOTIT, por atë e gëzon kush thotë të vërtetën. Njeriu i mençur nuk e shfaq dijen, kurse zemra e të marrëve kumton marrëzinë.
Fjalët e urta 12:11-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend. I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt. Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t'i shpëtojë fatkeqësisë. Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin sipas veprës së duarve të tij. Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë. Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin. Ai që thotë të vërtetën shpall atë që është e drejtë, por dëshmitari i rremë thotë mashtrime. Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim. Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast. Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim. Asnjë e keqe nuk do t'i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe. Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij. Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre.