Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Filipianëve 4:10-23

Filipianëve 4:10-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

U gëzova shumë në Zotin që tani më në fund e rigjallëruat përkujdesjen tuaj për mua. Në të vërtetë ju e kishit në mendje, por nuk ju ishte dhënë rasti ta tregonit. Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë kam mësuar të jem i kënaqur në çdo rrethanë. Unë e di çfarë do të thotë të jesh në nevojë dhe e di çfarë do të thotë të kesh me tepri. Në çdo rrethanë e në çdo gjë jam mësuar edhe të jem i ngopur, edhe të kem uri; edhe të kem me tepri, edhe të jem në nevojë. Unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon. Megjithatë, ju bëtë mirë që m'u gjendët pranë në vështirësitë e mia. Ju, o filipianë, e dini se kur fillova të predikoj ungjillin, pasi u largova nga Maqedonia, asnjë kishë, përveç jush, nuk më ndihmoi me të holla. Në të vërtetë edhe kur gjendesha në Selanik, jo një, por dy herë, ju më dërguat ndihmë kur isha në nevojë. Unë nuk po kërkoj dhuratë nga ju, por po kërkoj të shoh frytet e zemërgjerësisë suaj që janë për dobinë tuaj. Unë kam gjithçka dhe më tepron. Kam gjithë të mirat, pasi mora nga Epafroditi çfarë më kishit dërguar ju, një aromë erëmirë, një fli e pranueshme, e pëlqyeshme për Perëndinë. Perëndia im do të plotësojë përmes Krishtit Jezu çdo nevojë tuajën, sipas pasurive të tij të lavdishme. Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen! Përshëndetni të gjithë të shenjtët në emër të Krishtit Jezu. Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin. Ju përshëndesin të gjithë të shenjtët, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit. Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj.

Filipianëve 4:10-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe u gëzova shumë në Zotin, sepse më në fund kujdesi juaj për mua u rigjallërua; në realitet ju edhe e kishit në mendje, por nuk kishit rast. Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam. Unë di të jem i përulur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon. Po ju bëtë mirë që morët pjesë në pikëllimin tim. Edhe ju, o filipianë, e dini se, në fillim të predikimit të ungjillit, kur u nisa nga Maqedonia, asnjë kishë nuk ndau me mua gjë për të dhënë a për të marrë, veç jush, sepse edhe në Thesaloniki më dërguat jo vetëm një herë por dy, përkujdesje kur isha në nevojë. Jo se unë po kërkoj dhurata, por kërkoj fryt që tepron për dobinë tuaj. Tani i kam të gjitha dhe më teprojnë; jam përplot, mbasi mora nga Epafroditi atë që më ishte dërguar nga ju, një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia. Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht. Perëndisë tonë e Atit tonë lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Përshëndetni të gjithë shenjtorët në Jezu Krishtin. Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin; të gjithë shenjtorët ju përshëndesin, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.