Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Filipianëve 3:10-21

Filipianëve 3:10-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Unë dua të njoh Krishtin dhe fuqinë e ngjalljes së tij, të marr pjesë në vuajtjet e tij e të bashkohem me të në vdekjen e tij, me shpresën që të arrij të ngjallem prej të vdekurve. Nuk them se ia kam arritur fundit e as se jam bërë i përsosur, por ende vrapoj për të fituar çmimin, për të cilin edhe Krishti më fitoi mua. Vëllezër, unë nuk mendoj për veten time se ia kam arritur, por di të them se i kam harruar ato që kam lënë pas dhe se po rend drejt atyre që kam përpara, drejt synimit për të fituar çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë, përmes Krishtit Jezu. Kështu le të mendojmë të gjithë ne që jemi të përsosur në besim. Nëse ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t'ju ndriçojë mendjen edhe për këtë gjë. Pavarësisht se ku kemi arritur, le të vazhdojmë të ndjekim të njëjtën udhë. Vëllezër, më shkërbeni mua dhe shikoni ata që ecin sipas shembullit tim. Siç ju kam thënë shpesh e po jua them edhe tani me lot ndër sy, se ka shumë nga ata që jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit. Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku, ata mburren me gjëra për të cilat duhet të turpëroheshin. Ata e kanë mendjen në gjërat e kësaj bote, ndërsa ne e kemi qytetarinë në qiej, prej nga presim shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë duke e bërë të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, me anë të fuqisë e pushtetit që do të nënshtrojë gjithçka nën sundimin e vet.

Filipianëve 3:10-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t'ia arrij ringjalljes prej së vdekurish. Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti. Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus. Pra, të gjithë ne që jemi të përsosur, le të kemi këto mendime; dhe në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t'jua zbulojë edhe këtë. Por në pikën ku kemi arritur, le të ecim sipas së njëjtës rregull me të njëjtën mendje. Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shembullit që keni në ne. Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit, dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë. Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht, i cili do ta transformojë trupin tonë të përuljes, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t'i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.