Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Filipianëve 3:1-11

Filipianëve 3:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Së fundi, vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin. Unë nuk lodhem duke ju shkruar të njëjtat gjëra, por këtë e bëj, se është e dobishme për ju. Ruhuni nga punëtorët e këqij të ungjillit, ruhuni nga ata qen! Ruhuni nga ata që ju shtyjnë të gjymtoheni me anë të rrethprerjes! Sepse rrethprerja jemi ne, ne që i shërbejmë Perëndisë përmes Shpirtit të tij, që krenohemi falë Krishtit Jezu e që nuk i zëmë besë dobësisë njerëzore, megjithëse unë kam përse t'i zë besë edhe dobësisë njerëzore. Nëse ndonjëri mendon se ka arsye t'i zërë besë dobësisë njerëzore, unë kam edhe më shumë: u rrethpreva të tetën ditë, jam nga populli i Izraelit, nga fisi i Benjaminit, hebre e bir hebreu dhe e zbatoja ligjin si farise. Kam qenë aq i zellshëm saqë edhe e kam përndjekur kishën dhe kam qenë i paqortueshëm, sepse bëja një jetë të drejtë sipas ligjit. Por këto gjëra që dikur kishin vlerë për mua, tani i quaj humbje për shkak të Krishtit. E me të vërtetë unë i shoh të gjitha si humbje përballë epërsisë që vjen nga njohja e Krishtit Jezu, Zotit tim. Për shkak të tij unë i humba të gjitha këto dhe i shoh si plehra, në mënyrë që të fitoj Krishtin dhe të jem me të, duke mos u bërë i drejtë përmes ligjit, por përmes besimit në Krishtin, domethënë të bëhem i drejtë nga Perëndia përmes besimit. Unë dua të njoh Krishtin dhe fuqinë e ngjalljes së tij, të marr pjesë në vuajtjet e tij e të bashkohem me të në vdekjen e tij, me shpresën që të arrij të ngjallem prej të vdekurve.

Filipianëve 3:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin; për mua nuk është e rëndë t'ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri. Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët. Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish, megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë: u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise, sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm. Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje. Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin, dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit, që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t'ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë