Filipianëve 2:19-30
Filipianëve 2:19-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Shpresoj se me ndihmën e Zotit Jezu do t'ju dërgoj së shpejti Timoteun, që të marr edhe unë zemër kur të kem lajme prej jush. Përveç tij, nuk kam asnjë tjetër që të jetë në një mendje me mua e që të kujdeset sinqerisht për mirëqenien tuaj. Sepse të gjithë shohin interesin e vet dhe jo atë të Jezu Krishtit. Ju e dini sesa i sprovuar është treguar Timoteu. Ai ka shërbyer bashkë me mua për përhapjen e ungjillit dhe më ka ndihmuar si biri ndihmon të atin. Kështu, shpresoj t'jua dërgoj sapo të shoh si do të shkojnë punët me mua. Por jam i bindur se Zoti do të më ndihmojë, që edhe unë vetë të vij së shpejti. M'u duk e nevojshme t'ju dërgoj Epafroditin, vëllanë, bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që e kishit dërguar për të më shërbyer mua. Ai kishte shumë mall për ju të gjithë dhe u shqetësua kur mori vesh se ju kishit dëgjuar për sëmundjen e tij. Është e vërtetë që ai u sëmur për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të dhe jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos hidhërohesha edhe më shumë. Prandaj e dërgova me ngut që ju të gëzoheni kur ta shihni përsëri dhe unë të jem më pak i brengosur. Priteni, pra, me plot gëzim në Zotin dhe nderojini njerëz të tillë si ai, sepse për veprën e Krishtit ai për pak sa s'vdiq dhe vuri në rrezik jetën e vet për të plotësuar ndihmën që ju nuk mund të ma jepnit.
Filipianëve 2:19-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por shpresoj, në Zotin Jezus, t'ju dërgoj së shpejti Timoteun, që edhe unë duke njohur kushtet tuaja të inkurajohem, sepse nuk kam asnjë në një mendje me mua, që të kujdeset sinqerisht për gjërat tuaja. Sepse në fakt të gjithë kërkojnë interesin e vet dhe jo gjërat e Jezu Krishtit. Por ju e njihni provën e tij se si shërbeu bashkë me mua për ungjillin, si një bir i shërben të atit. Shpresoj, pra, t'jua dërgoj atë menjëherë, posa të marr vesh si do të venë punët e mia. Dhe kam besim te Zoti që edhe unë vetë do të vij së shpejti. Por m'u duk e nevojshme t'ju dërgoj Epafroditin, vëllanë tim dhe bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që ma patët dërguar si shërbenjës në nevojat e mia, sepse kishte shumë mall për ju të gjithë dhe ishte shumë i vrarë sepse kishit dëgjuar se ishte i sëmurë. Edhe vërtetë ai qe i sëmurë, gati për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të dhe jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos kisha trishtim mbi trishtim. Për këtë arsye jua dërgova me aq më shumë ngut, që ju, kur ta shihni përsëri, të gëzoheni dhe unë të kem më pak trishtim. Priteni, pra, me gëzim të madh në Zotin dhe nderoni të tillë njerëz si ai, sepse për veprën e Krishtit ai qe shumë afër vdekjes, duke e vënë në rrezik jetën e vet, për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës tuaj ndaj meje.