Filipianëve 2:1-13
Filipianëve 2:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Nëse Krishti është shtysa e jetës suaj, nëse dashuria ju ngushëllon, nëse keni bashkësi me Shpirtin, nëse tregoni dashuri e mëshirë për njëri-tjetrin, atëherë bëjeni të plotë gëzimin tim, duke qenë të një mendjeje, duke pasur të njëjtën dashuri dhe duke pasur një shpirt e një mendje. Mos bëni asgjë prej sedrës së sëmurë a për lavdi të kotë, por me përulësi çmojeni tjetrin më shumë se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve. Kini ndër ju po atë mendje që kishte edhe Krishti Jezu, i cili, megjithëse kishte natyrë hyjnore, të qenit i barabartë me Perëndinë nuk e pa si diçka pas së cilës të mbahej fort, por e zbrazi veten duke marrë natyrë shërbëtori e u bë i ngjashëm me njerëzit. Kur u shfaq si njeri, ai e përuli veten e u bë i bindur deri në vdekje, madje me vdekje në kryq. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi mbi gjithçka tjetër e i dha emrin që është mbi çdo emër, që në emrin e Jezuit të bien në gjunjë të gjitha qeniet që janë në qiell, mbi tokë nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë se Jezu Krishti është Zot, që të përlëvdohet Perëndia Atë. Prandaj, fort të dashur, ashtu siç jeni bindur gjithmonë, jo vetëm kur isha mes jush, por shumë më tepër tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, se është vetë Perëndia ai që ju jep vullnetin e forcën për të vepruar, ashtu siç i pëlqen atij.
Filipianëve 2:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pra, në qofte se ka ndonjë ngushëllim në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë mallëngjim e dhembshuri, atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njëjtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme. Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve. Kini në ju po atë mendje që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë. Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.