Filipianëve 1:12-30
Filipianëve 1:12-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Tani, o vëllezër, dëshiroj ta dini se ajo që më ka ndodhur mua, ka ndihmuar më shumë në përparimin e ungjillit. Kështu, mbarë pretoriumi dhe gjithë të tjerët e kanë kuptuar qartë se unë jam në pranga për Krishtin. Pjesa më e madhe e vëllezërve morën zemër në Zotin nga prangat e mia dhe e shpallën fjalën e Perëndisë më me guxim e pa frikë. Është e vërtetë që disa e predikojnë Krishtin me smirë e sedër të sëmurë, por disa të tjerë e predikojnë nga vullneti i mirë. Këta e shpallin Krishtin nga dashuria, sepse e dinë se jam ngarkuar nga Perëndia për të mbrojtur ungjillin, ndërsa ata të tjerët e predikojnë Krishtin nga sedra e sëmurë, pa sinqeritet, duke menduar se kështu i shtojnë më tepër vuajtje prangosjes sime. Ç'rëndësi ka? Sido që të jetë, me hipokrizi a me sinqeritet, Krishti predikohet e për këtë gëzohem. Dhe përsëri do të gëzohem, sepse e di se përmes lutjeve tuaja dhe me ndihmën e Shpirtit të Jezu Krishtit kjo gjë do të sjellë shpëtimin tim. Këtë pres me padurim e shpresoj të mos turpërohem në asgjë, por me shumë guxim, si gjithmonë, edhe tani, e madhëroj Krishtin në trupin tim, si përmes jetës, edhe përmes vdekjes. Sa për mua jeta është Krishti dhe vdekja është fitim. Por, nëse jeta ime në trup jep fryte të dobishme, atëherë nuk di ç'të zgjedh. Jam ndërdyshas: nga njëra anë dua të largohem nga kjo botë e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjëja më e mirë; nga ana tjetër, nëse qëndroj në trup, kjo është më e nevojshme për ju. Për këtë jam i bindur dhe e di se do të qëndroj në këtë botë e do të vazhdoj të jem me ju të gjithë, që t'ju ndihmoj të përparoni e të gjeni gëzimin që sjell besimi. Kështu prania ime mes jush do t'ju bëjë edhe më krenarë për besimin në Krishtin Jezu. Por ju, jetoni në mënyrë të denjë për ungjillin e Krishtit, që edhe nëse vij e ju shoh, edhe nëse jam larg jush e dëgjoj për ju, të dëgjoj se qëndroni të fortë në një shpirt dhe se përpiqeni së bashku me një mendje, për besimin e ungjillit. Mos u frikësoni aspak nga kundërshtarët. Kjo gjë tregon se ata po shkojnë drejt humbjes, ndërsa ju drejt shpëtimit që vjen prej Perëndisë. Juve ju është dhënë hiri t'i shërbeni Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe që të vuani për të, sepse ju po bëni të njëjtën betejë, që më keni parë edhe mua duke bërë e për të cilën po dëgjoni se e bëj edhe tani.
Filipianëve 1:12-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit, aq sa gjithë pretoriumi dhe të tjerët mbarë e dinë se unë jam në vargonj për Krishtin; dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotin, të inkurajuar nga vargonjtë e mia, kanë marrë me shumë guxim në shpalljen e fjalës së Perëndisë pa frikë. Disa me të vërtetë predikojnë Krishtin edhe për smirë dhe për grindje, por disa të tjerë me vullnet të mirë. Këta e predikojnë Krishtin për grindje, me qëllime jo të pastra, duke menduar që t'u shtojnë pikëllimin vargonjve të mia. kurse ata e bëjnë nga dashuria, duke ditur se unë jam vënë për mbrojtjen e ungjillit. Ç'rëndësi ka? Sido që të jetë, me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem. E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezu Krishtit, sipas të priturit tim me padurim dhe me shpresë, se unë nuk do të turpërohem në asnjë gjë, por me çdo guxim, tani si gjithmonë, Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen. Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh, sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë, por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për ju. Këtë e di me siguri, që do të rri dhe qëndroj me ju të gjithë për përparimin tuaj dhe për gëzimin e besimit tuaj. që mburrja tuaj për mua të teprojë në Jezu Krishtin, për praninë time sërish midis jush. Ju veç, silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit, që, kur të vij e t'ju shoh, ose nga larg kur s'jam aty, të dëgjoj për ju se qëndroni fort në një frymë të përbashkët, duke luftuar bashkë me një shpirt për besimin e ungjillit, duke mos u lënë të trembeni në asnjë gjë nga kundërshtarët; kjo është për ta një provë humbjeje, kurse për ju shpëtimi, edhe kjo nga ana e Perëndisë. Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të, duke patur të njëjtën beteje që e patë në mua, dhe tani po dëgjoni që është në mua.