Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Filipianëve 1:1-26

Filipianëve 1:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pali e Timoteu, shërbëtorë të Krishtit Jezu, po ju shkruajmë të gjithë të shenjtëve në Krishtin Jezu, peshkopëve e dhjakëve që janë në Filipi: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht! E falënderoj Perëndinë tim sa herë ju kujtoj. Në çdo lutje që bëj, gjithmonë, lutem me gëzim për ju të gjithë, për pjesëmarrjen tuaj në dobi të ungjillit nga dita e parë deri tani. Jam i sigurt se ai që nisi një vepër të mirë mes jush, do ta përfundojë deri në ditën kur do të vijë Krishti Jezu. Është e drejtë që unë të mendoj kështu për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër. Ju të gjithë merrni pjesë në hirin që m'u dha mua për të mbrojtur e për të dëshmuar ungjillin, si tani që jam në pranga, ashtu edhe atëherë kur isha i lirë. Kam Perëndinë për dëshmitar sesi digjem nga malli për ju të gjithë me dhembshurinë e Krishtit Jezu. Unë lutem që dashuria juaj të rritet gjithnjë e më shumë e të pasurohet me dije e me aftësi për të kuptuar, që të jeni në gjendje të dalloni më të mirën dhe të jeni të dëlirë e të pafajshëm në ditën e ardhjes së Krishtit, të mbushur plot me frytet e drejtësisë që vijnë prej Jezu Krishtit, për lavdinë e lavdërimin e Perëndisë. Tani, o vëllezër, dëshiroj ta dini se ajo që më ka ndodhur mua, ka ndihmuar më shumë në përparimin e ungjillit. Kështu, mbarë pretoriumi dhe gjithë të tjerët e kanë kuptuar qartë se unë jam në pranga për Krishtin. Pjesa më e madhe e vëllezërve morën zemër në Zotin nga prangat e mia dhe e shpallën fjalën e Perëndisë më me guxim e pa frikë. Është e vërtetë që disa e predikojnë Krishtin me smirë e sedër të sëmurë, por disa të tjerë e predikojnë nga vullneti i mirë. Këta e shpallin Krishtin nga dashuria, sepse e dinë se jam ngarkuar nga Perëndia për të mbrojtur ungjillin, ndërsa ata të tjerët e predikojnë Krishtin nga sedra e sëmurë, pa sinqeritet, duke menduar se kështu i shtojnë më tepër vuajtje prangosjes sime. Ç'rëndësi ka? Sido që të jetë, me hipokrizi a me sinqeritet, Krishti predikohet e për këtë gëzohem. Dhe përsëri do të gëzohem, sepse e di se përmes lutjeve tuaja dhe me ndihmën e Shpirtit të Jezu Krishtit kjo gjë do të sjellë shpëtimin tim. Këtë pres me padurim e shpresoj të mos turpërohem në asgjë, por me shumë guxim, si gjithmonë, edhe tani, e madhëroj Krishtin në trupin tim, si përmes jetës, edhe përmes vdekjes. Sa për mua jeta është Krishti dhe vdekja është fitim. Por, nëse jeta ime në trup jep fryte të dobishme, atëherë nuk di ç'të zgjedh. Jam ndërdyshas: nga njëra anë dua të largohem nga kjo botë e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjëja më e mirë; nga ana tjetër, nëse qëndroj në trup, kjo është më e nevojshme për ju. Për këtë jam i bindur dhe e di se do të qëndroj në këtë botë e do të vazhdoj të jem me ju të gjithë, që t'ju ndihmoj të përparoni e të gjeni gëzimin që sjell besimi. Kështu prania ime mes jush do t'ju bëjë edhe më krenarë për besimin në Krishtin Jezu.

Filipianëve 1:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pali dhe Timoteu, shërbëtorë të Jezu Krishtit, gjithë shenjtorëve në Jezu Krishtin që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht. E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj, duke iu lutur gjithmonë me gëzim për ju të gjithë në çdo lutje që bëj, për pjesëmarrjen tuaj në ungjillin që nga dita e parë e deri tani, duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit. Dhe është e drejtë që unë të ndiej këto për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër, sepse ju si në vargonjtë e mi ashtu edhe në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit jeni të gjithë pjesëtarë me mua të hirit. Sepse Perëndia, është dëshmitari im, si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht. Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit, të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë. Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit, aq sa gjithë pretoriumi dhe të tjerët mbarë e dinë se unë jam në vargonj për Krishtin; dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotin, të inkurajuar nga vargonjtë e mia, kanë marrë me shumë guxim në shpalljen e fjalës së Perëndisë pa frikë. Disa me të vërtetë predikojnë Krishtin edhe për smirë dhe për grindje, por disa të tjerë me vullnet të mirë. Këta e predikojnë Krishtin për grindje, me qëllime jo të pastra, duke menduar që t'u shtojnë pikëllimin vargonjve të mia. kurse ata e bëjnë nga dashuria, duke ditur se unë jam vënë për mbrojtjen e ungjillit. Ç'rëndësi ka? Sido që të jetë, me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem. E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezu Krishtit, sipas të priturit tim me padurim dhe me shpresë, se unë nuk do të turpërohem në asnjë gjë, por me çdo guxim, tani si gjithmonë, Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen. Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh, sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë, por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për ju. Këtë e di me siguri, që do të rri dhe qëndroj me ju të gjithë për përparimin tuaj dhe për gëzimin e besimit tuaj. që mburrja tuaj për mua të teprojë në Jezu Krishtin, për praninë time sërish midis jush.