Numrat 6:1-8
Numrat 6:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI foli me Moisiun e i tha: «Fol me izraelitët e thuaju: çdo burrë ose grua që zotohet se do t'i kushtohet ZOTIT si nazireas, të heqë dorë nga vera e pijet e forta, të mos pijë uthull vere e as uthull pijesh të forta, të mos pijë lëng rrushi e të mos hajë rrush të freskët e as të thatë. Gjatë gjithë kohës që është i kushtuar si nazireas, të mos hajë asgjë që bëhet nga vreshti, as nga fara, as nga lëkura. Gjatë gjithë kohës që është i kushtuar si nazireas, të mos e rruajë kokën. Derisa të përmbushen ditët e kushtit si nazireas, ai do të jetë i shenjtë e do t'i rrisë flokët. Gjatë gjithë kohës që i është kushtuar ZOTIT si nazireas, të mos i afrohet asnjë kufome, qoftë kufomës së të atit, të së ëmës, të të vëllait apo të së motrës. Të mos e përdhosë veten, sepse në kokë mban shenjën që i është kushtuar Perëndisë. Gjatë gjithë kohës që është i kushtuar si nazireas, do të jetë i shenjtë për ZOTIN.
Numrat 6:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur një burrë a një grua do të lidhin një kusht të veçantë, kushtin e nazireatit, për t'iu shenjtëruar Zotit, do të heqin dorë nga vera dhe nga pije të tjera që të dehin, nuk do të pinë uthull të bërë nga vera, as uthull të përgatitur me pije dehëse; nuk do të pinë asnjë lëng rrushi dhe nuk do të hanë rrush, as të freskët as të thatë. Gjatë gjithë kohës së shenjtërimit të tij, ai nuk do të hajë asnjë prodhim të vreshtit, as kokrrat as lëkurën e rrushit. Gjatë gjithë kohës së kushtit të shenjtërimit, brisku nuk do të kalojë mbi kokën e tij; derisa të mbushen ditët për të cilët iu shenjtërua Zotit do të jetë i shenjtë; do t'i lërë flokët e tij të rriten të gjatë mbi kokën e tij. Për gjithë kohën që i është shenjtëruar Zotit nuk do t'i afrohet ndonjë trupi të vdekur; as sikur të ishte i ati apo e ëma, i vëllai ose e motra, ai nuk do të ndotet për ta kur vdesin, sepse mban mbi krye shenjën e shenjtërimit të tij Perëndisë. Për gjithë kohën e shenjtërimit të tij, ai do të jetë i shenjtë për Zotin.