Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 8:1-18

Nehemia 8:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë mbarë populli u mblodh si një trup i vetëm në sheshin përballë Portës së Ujit e i thanë shkruesit Ezra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Perëndia i kishte urdhëruar Izraelit. Në ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezra e solli ligjin para kuvendit të burrave, grave dhe të gjithë atyre që mund të kuptonin e të dëgjonin. E lexoi me zë në sheshin para Portës së Ujit, deri në mesditë, para burrave, grave e atyre që ishin në gjendje ta kuptonin. I gjithë populli i vuri vesh librit të ligjit. Shkruesi Ezra qëndroi në një shkallare druri, që e kishin përgatitur për këtë gjë, ndërsa bri tij rrinin Matitjahu, Shemai, Ananjahu, Urjahu, Hilkiahu e Masejahu, në krahun e djathtë, e në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkjahu, Hashumi, Hashbadanahu, Zakaria e Meshulami. Ezra e hapi librin para syve të mbarë popullit, se ishte më lart se tërë populli. Kur e hapi, mbarë populli u ngrit më këmbë. Atëherë Ezra e bekoi ZOTIN, Perëndinë e madh, ndërsa gjithë populli, me duart lart, u përgjigj: «Amen! Amen!». Pastaj ranë përmbys me fytyrë përdhe para ZOTIT. Jeshuai, Baniu, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabetai, Hodiahu, Masejahu, Kelitai, Azarjahu, Jozabadi, Hanani, Pelajahu e levitët, e ndihmuan popullin ta kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në vendin e vet. Ata e lexonin librin e ligjit të Perëndisë dhe e sqaronin. I nxirrnin kuptimin, që ta kuptonin leximin. Nehemia, që ishte qeveritar, Ezra, që ishte prift e shkrues, si dhe levitët, të cilët e mësonin popullin, i thanë mbarë popullit: «Kjo ditë i kushtohet ZOTIT, Perëndisë suaj. Mos vajtoni e mos qani». Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e ligjit. Atëherë Nehemia u tha: «Shkoni, hani ushqime të majme, pini pije të ëmbla e çojuni një pjesë atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, se kjo ditë është e shenjtë për Zotin tonë. Mos u mërzitni, sepse gëzimi i ZOTIT është streha juaj». Kështu, levitët e qetësuan mbarë popullin, duke i thënë: «Heshtni, se kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni». Tërë populli shkoi për të ngrënë e për të pirë, për t'u dhënë një pjesë të tjerëve e për të gëzuar shumë, sepse i kishin kuptuar fjalët që u ishin thënë. Të nesërmen kryefamiljarët e mbarë popullit u mblodhën me priftërinjtë e levitët te shkruesi Ezra për të përimtuar fjalët e ligjit. Në ligjin që ZOTI kishte urdhëruar me anë të Moisiut, zbuluan se populli i Izraelit duhej të jetonte në kasolle gjatë festimeve të muajit të shtatë e se festimet duheshin shpallur me zë në të gjitha qytetet dhe në Jerusalem, duke thënë: «Dilni nëpër male e sillni gema ullinjsh të butë e të egër, gema boronicash, gema palmash e gema pemësh gjethore, sikurse është shkruar». Atëherë populli doli e i solli. Ndërtuan për vete kasolle, secili mbi pullazin e shtëpisë së vet, nëpër treme, në tremen e tempullit të Perëndisë e në sheshin e Portës së Ujit, si edhe në sheshin e Portës së Efraimit. Mbarë bashkësia e të kthyerve nga skllavëria bënë kasolle e banuan në to. Qysh prej kohës së Jeshuait, birit të Nunit, deri më atë ditë, Izraeli nuk kishte bërë diçka të tillë, prandaj u bë gëzim i madh. Ai e lexoi librin e ligjit të Perëndisë, çdo ditë, nga dita e parë deri tek e fundit. Festa zgjati shtatë ditë dhe ditën e tetë u bë një mbledhje e madhe, sipas rregullores.

Nehemia 8:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë tërë populli u mblodh si një njeri i vetëm në sheshin që ishte përpara portës së Ujërave; i thanë pastaj shkruesit Ezdra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Zoti i kishte dhënë Izraelit. Ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezdra solli ligjin para asamblesë së burrave, të grave dhe të gjithë atyre që ishin të aftë të kuptonin. Pastaj e lexoi në sheshin që ndodhet përpara portës së Ujërave, nga agimi deri në mesditë përpara burrave, grave dhe atyre që ishin të aftë të kuptonin; dhe veshët e të gjithë popullit ndiqnin me vëmendje librin e ligjit. Shkruesi Ezdra qëndronte mbi një tribunë prej druri që kishin bërë për këtë rast. Pranë tij ishin në të djathtë Matithiahu, Shema, Ananiahu, Uria, Hilkiahu dhe Maaseiahu; në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkijahu, Hashumi, Hashbadana, Zakaria dhe Meshulami. Ezdra e hapi librin në prani të të gjithë popullit, sepse rrinte më lart se tërë populli; sa e hapi, tërë populli u ngrit në këmbë. Ezdra bekoi Zotin, Perëndinë i madh, dhe tërë populli u përgjigj: "Amen, amen", duke ngritur duart; pastaj u përkulën dhe ranë përmbys me fytyrë për tokë përpara Zotit. Jeshua, Bani, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabethai, Hodijahu, Maaseiahu, Kelita, Azaria, Jozabadi, Hanani, Pelajahu dhe levitët e ndihmonin popullin të kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në këmbë në vendin e tij. Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej. Nehemia, që ishte qeveritari, Ezdra, prift dhe shkrues, dhe levitët që e mësonin popullin i thanë tërë popullit: "Kjo ditë i shenjtërohet Zotit, Perëndisë tuaj; mos mbani zi dhe mos qani!". Tërë populli Pastaj Nehemia u tha atyre: "Shkoni, hani, ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla, dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj". Levitët e mbanin në heshtje tërë popullin, duke thënë: "Heshtni, sepse kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni!". Atëherë tërë populli shkoi të hajë, të pijë, t'u dërgojë racione të varfërve dhe të kremtojë me hare të madhe, sepse ata i kishin kuptuar fjalët që u ishin shpjeguar. Ditën e dytë, krerët e shtëpive atërore të të gjithë popullit, priftërinjtë dhe levitët u mblodhën pranë Ezdras, shkruesit, për të dëgjuar fjalët e ligjit. Gjetën të shkruar në ligj që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut që bijtë e Izraelit duhet të banonin në kasolle gjatë festës së muajit të shtatë, dhe në të gjitha qytetet e tyre dhe në Jeruzalem duhet të përhapnin dhe të shpallnin një njoftim në të cilin të thuhej: "Shkoni në mal dhe sillni andej degë ulliri, degë ullastre, degë mërsine, degë palme dhe degë me gjethe të dendura, për të bërë kasolle, siç është shkruar". Atëherë populli shkoi jashtë dhe solli degët, dhe i ndërtoi kasollet, kush mbi çatinë e shtëpisë së tij, kush në oborrin e tij, të tjerë në oborret e shtëpisë së Perëndisë, në sheshin e portës të Ujërave dhe në sheshin e portës së Efraimit. Kështu tërë asambleja e atyre që ishin kthyer nga robëria ndërtoi kasolle dhe banoi në to. Nga koha e Jozueut, birit të Nunit, e deri në atë ditë, bijtë e Izraelit nuk kishin bërë asgjë të tillë. Dhe qe një gëzim shumë i madh. Ezdra lexoi librin e ligjit të Perëndisë çdo ditë, nga dita e parë deri në ditën e fundit. E kremtuan festën shtatë ditë; ditën e tetë pati një asamble solemne, siç e kërkon ligji.