Nehemia 4:1-11
Nehemia 4:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Por, kur Sanbalati, Tobia, arabët, amonitët e ashdoditët morën vesh se kishte përparuar mëkëmbja e mureve të Jerusalemit dhe se kishin filluar t'i mbylleshin të çarat, u zemëruan shumë. Të gjithë së bashku u përbetuan të luftonin kundër Jerusalemit e të shkaktonin trazira në të. Atëherë ne iu lutëm Perëndisë sonë e vendosëm rojtarë për t'u mbrojtur prej tyre ditë e natë. Judenjtë thoshin: «Po u meket forca ngarkuesve e ka shumë mbeturina, prandaj nuk mund ta kryejmë murin». Armiqtë tanë thoshin: «Papritur e pa pandehur do të vërsulemi kundër tyre, do t'i vrasim e do t'u japim fund punimeve». Judenjtë, që banonin pranë tyre, erdhën e na thanë nja dhjetë herë: «Ngado të silleni, do të sulen mbi ne». Atëherë unë e vendosa popullin, sipas fiseve, në vendet e ulëta prapa murit e nëpër rrahe, me shpata, shigjeta e harqe. Pasi pashë punën, u ngrita e u thashë fisnikëve, zyrtarëve e pjesës tjetër të popullit: «Mos kini frikë prej tyre. Kujtoni Zotin e madh e të tmerrshëm dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë e bijat tuaja, për gratë e për shtëpitë tuaja!». Kur armiqtë tanë dëgjuan se ne ishim në dijeni të kësaj gjëje, Perëndia i prishi synimet e tyre e ne u kthyem te muri, secili te puna e vet. Prej asaj dite gjysma e të rinjve të mi punonte e gjysma mbante shigjetat, shqytet, harqet e mburojat. Prijësit rrinin mbrapa tërë shtëpisë së Judës. Ata që ndërtonin murin dhe ata që mbartnin ngarkesën, me njërën dorë bënin punën e me dorën tjetër mbanin armën.
Nehemia 4:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur Sanbalati dëgjoi që ne po rindërtonim muret, u zemërua, u revoltua thellë dhe filloi të tallet me judenjtë, dhe u tha përpara vëllezërve të tij dhe ushtarëve të Samarisë: "Çfarë po bëjnë këta judenj matufë? Do të fortifikohen? Do të ofrojnë flijime? A do të mbarojnë brenda një dite? Mos vallë do të ringjallin gurët e konsumuar nga zjarri i togjeve të rrënojave?". Tobiahu, amoniti, që i rrinte pranë, tha: "Le të ndërtojnë! Por në rast se një dhelpër hipën sipër, do ta rrëzojë murin e tyre prej guri!". Dëgjo, o Perëndia ynë, sepse na përçmojnë! Bëj që të bjerë mbi kokën e tyre fyerja e tyre dhe braktisi në përbuzje në një vend robërie! Mos e mbulo paudhësinë e tyre dhe mos lejo që mëkati i tyre të fshihet para teje, sepse kanë provokuar zemërimin tënd para ndërtuesve". Ne, pra, i rindërtuam muret që u bashkuan deri në gjysmën e lartësisë së tyre; populli e kishte marrë me zemër punën. Por kur Sanbalati, Tobiahu, arabët, amonitët dhe asdodenjtë mësuan që riparimi i mureve të Jeruzalemit po përparonte dhe të çarat kishin filluar të mbylleshin, ata u zemëruan shumë, dhe të gjithë së bashku komplotuan për të ardhur në Jeruzalem dhe për të krijuar trazira në të. Por ne iu lutëm Perëndisë tonë dhe për shkak të tyre vumë roje natë e ditë kundër tyre. Por ata të Judës thoshin: "Forcat e mbartësve të peshave vijnë duke u pakësuar dhe gërmadhat janë aq të shumta sa nuk do të arrijmë të ndërtojmë muret! Përveç kësaj kundërshtarët tanë thoshin: "Ata nuk do të dinë dhe nuk do të shohin asgjë, derisa ne do të sulemi në mes të tyre dhe do t'i vrasim; kështu do të bëjmë që të ndërpriten punimet".