Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 2:1-9

Nehemia 2:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ishte muaji Nisan i vitit të njëzetë të mbretit Artakserks. Mbreti e kishte verën përpara dhe unë e mora verën e ia qita mbretit, mirëpo nuk kisha qenë ndonjëherë i trishtuar para tij. Atëherë mbreti më tha: «Pse ke këtë pamje të trishtuar? I sëmurë nuk je, prandaj nuk mund të jetë tjetër, veçse trishtim i zemrës». Mua më zuri një frikë e madhe e i thashë mbretit: «Rroftë mbreti përgjithmonë! Si mos të të dukem i trishtuar, kur qyteti, ku gjenden varret e të parëve të mi, u shkretua e portat ia ka përpirë zjarri?». Mbreti m'u përgjigj: «Çfarë po kërkon?». Unë iu luta Perëndisë së qiellit e i thashë mbretit: «Po të dojë mbreti e nëse e ka për zemër shërbëtorin e vet, të më dërgojë në Judë, në qytetin ku gjenden varret e të parëve të mi, që ta rindërtoj». Mbreti, me mbretëreshën përkrah, më tha: «Sa do të zgjatë udhëtimi yt e kur do të kthehesh?». Unë ia tregova kohën. Mbretit i pëlqeu e më la të shkoja. Pastaj i thashë: «Po të dojë mbreti, le të më jepen letra për qeveritarët e tejlumit, që të më lejojnë të kaloj për në Judë, si dhe një letër për Asafin, rojtarin e pyjeve të mbretit, që të më japë drurë për ndërtimin e portave të qytezës dhe për shtëpinë ku do të hyj». Mbreti m'i dha, sepse dora e Perëndisë ishte me mua. Kur mbërrita te qeveritarët e tejlumit, u dhashë letrat e mbretit. Mbreti më kishte dhënë me vete një shpurë prijësish e disa kalorës.

Nehemia 2:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në muajin e nisanit, vitin e njëzetë të mbretit Artakserks, sapo e sollën verën para tij, unë e mora verën dhe ia zgjata atij. Unë nuk kisha qenë i trishtuar kurrë në prani të tij. Prandaj mbreti më tha: "Pse ke pamje të trishtuar, ndonëse nuk je i sëmurë? Kjo nuk mund të jetë veçse një trishtim i zemrës". Atëherë më zuri një frikë shumë e madhe, dhe i thashë mbretit: "Rroftë mbreti përjetë! Si mund të mos jetë fytyra ime e trishtuar kur qyteti ku janë varrosur etërit e mi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri?". Mbreti më tha: "Çfarë kërkon?". Atëherë unë iu luta Perëndisë të qiellit dhe pastaj iu përgjigja mbretit: "Në qoftë se kjo i pëlqen mbretit dhe shërbëtori yt ka gjetur mirëdashje në sytë e tu, më lejo të shkoj në Judë, në qytetin e varreve të etërve të mi, që ta rindërtoj atë". Mbreti më tha (mbretëresha i rrinte ulur në krah): "Sa do të zgjasë udhëtimi dhe kur do të kthehesh?". Kështu i pëlqeu mbretit të më lërë të shkoj dhe unë i tregova një afat kohe. Pastaj i thashë mbretit: "Në rast se kështu i pëlqen mbretit, të më jepen letra për qeveritarët e krahinës matanë Lumit që të më japin lejen e kalimit derisa të arrijë në Judë, dhe një letër për Asafin, mbikëqyrësin e pyllit të mbretit, që të më japë lëndën e drurit për të ndërtuar portat e qytezës së bashkuar me tempullin, për muret e qytetit dhe për shtëpinë në të cilën do të shkoj të banoj". Mbreti më dha letrat, sepse dora mirëdashëse e Perëndisë tim ishte mbi mua. Arrita kështu te qeveritarët e krahinës matanë Lumit dhe u dhashë atyre letrat e mbretit. Me mua mbreti kishte dërguar një trup përcjellës të përbërë nga komandantë të ushtrisë dhe nga kalorës.