Nehemia 1:1-11
Nehemia 1:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Fjalët e Nehemisë, birit të Hakaliahut. Në muajin Kislev, kur isha njëzet vjeç e gjendesha në fortesën e Shushanit, erdhi tek unë Hananiu, njëri prej vëllezërve të mi, me disa njerëz nga Juda. Unë i pyeta për judenjtë, që kishin ikur e kishin shpëtuar nga skllavëria, si edhe për Jerusalemin. Ata më thanë: «Të mbijetuarit, që i shpëtuan skllavërisë, gjenden atje, në krahinë, dhe janë në ngushticë të madhe e në fatkeqësi, sepse muret e Jerusalemit janë shembur e portave u ka rënë zjarri». Kur i dëgjova këto fjalë, u ula, derdha lot e vajtova për disa ditë. Agjërova, iu luta Perëndisë së qiellit e thashë: «Po të lutem, o ZOT, Perëndi i qiellit, Perëndi i madh e i tmerrshëm, që e mban besëlidhjen e mirësinë për ata që të duan e i zbatojnë urdhërimet e tua, vëri vesh lutjes së shërbëtorit tënd e hapi sytë, se unë po të lutem ditë e natë për bijtë e Izraelit, shërbëtorët e tu, e po i rrëfej mëkatet e bijve të Izraelit, se mëkatuam kundër teje. Edhe unë e shtëpia e tim eti mëkatuam. U sollëm keq me ty e nuk i mbajtëm as urdhërimet, as rregullat, as vendimet që i urdhërove Moisiut, shërbëtorit tënd. Kujto, pra, fjalët me të cilat e urdhërove shërbëtorin tënd, Moisiun: “Nëse nuk do të jeni besnikë, do t'ju shpërndaj mes popujve, por nëse ktheheni tek unë dhe i mbani e i zbatoni urdhërimet e mia, edhe sikur të dëbuarit të gjenden në skajet e botës, do t'i mbledh që andej e do t'i çoj në vendin ku kam vendosur të banojë emri im”. Ata janë shërbëtorët e tu e populli yt që ti i shpëtove me pushtetin tënd të madh e me fuqinë e krahut tënd. Po të përgjërohem, o Zot, vëri vesh lutjes së shërbëtorit tënd e lutjes së shërbëtorëve të tu që me dëshirë i druhen emrit tënd: prija mbarë sot shërbëtorit tënd e jepi hir para këtij njeriu». Në atë kohë unë isha kupëmbajtësi i mbretit.
Nehemia 1:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Fjalët e Nehemias, birit të Hakaliahut. Ndodhi që në muajin e kisleut, në vitin e njëzetë, ndërsa unë ndodhesha në kalanë e Suzas, arriti në Judë Hanani, një nga vëllezërit e mi, bashkë me disa burra të tjerë. Unë i pyeta lidhur me judenjtë që kishin shpëtuar, që ishin kthyer gjallë nga robëria, dhe lidhur me Jeruzalemin. Ata më thanë: "Ata që kanë shpëtuar nga robëria janë atje poshtë në krahinë, në një varfëri të madhe dhe me faqe të zezë; përveç kësaj muret e Jeruzalemit janë plot me të çara dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri". Sa i dëgjova këto fjalë, u ula dhe qava; pastaj mbajta zi disa ditë me radhë, agjërova dhe u luta përpara Perëndisë të qiellit. Dhe thashë: "Të lutem shumë, o Zot, Perëndia i qiellit, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që i qëndron besnik besëlidhjes dhe ke mëshirë për ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua, qofshin veshët e tua të vëmendshëm dhe sytë e tu të hapur për të dëgjuar lutjen e shërbëtorit tënd që tani ta drejton ty ditën dhe natën për bijtë e Izraelit, shërbëtorë të tu, duke rrëfyer mëkatet e bijve të Izraelit, që ne kemi kryer kundër teje. Po, unë dhe shtëpia e atit tim kemi mëkatuar. Jemi sjellë shumë keq me ty dhe nuk kemi respektuar urdhërimet, statutet dhe dekretet që ti i ke urdhëruar Moisiut, shërbëtorit tënd. Mbaje mend fjalën që i urdhërove Moisiut, shërbëtorit tënd, duke i thënë: "Në qoftë se do të mëkatoni, unë do t'ju shpërndaj midis popujve; por në rast se do të ktheheni tek unë dhe do të respektoni urdhërimet e mia, dhe do t'i zbatoni në praktikë, edhe sikur njerëzit tuaj të shpërndarë të jenë në kufijtë e qiellit, unë do t'i mbledh që andej dhe do t'i sjell përsëri në vendin që kam zgjedhur ku të banojë emri im". Tani këta janë shërbëtorët e tu dhe populli yt, që ti i ke çliruar me fuqinë tënde të madhe dhe me dorën tënde të fortë. O Zot, të lutem, qofshin veshët e tu të vëmendshëm ndaj lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjes së shërbëtorëve të tu që ndiejnë kënaqësi kur kanë frikë prej emrit tënd; jepi, madje sot të lutem, një sukses të mirë shërbëtorit tënd, duke bërë që ai të gjejë zemërbutësi në sytë e këtij njeriu". Unë atëherë isha kupëmbajtësi i mbretit.