Marku 9:2-8
Marku 9:2-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një mal të lartë, në një vend të veçuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre dhe rrobat iu bënë vezulluese e aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t'i zbardhte aq shumë. Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun që po flisnin me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Në të vërtetë nuk dinte ç'të thoshte, se u kishte hyrë tmerri. Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!». Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta.
Marku 9:2-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre. Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t'i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë. Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!''. Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur. Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!''. Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.