Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 8:22-38

Marku 8:22-38 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj arritën në Betsaidë, ku i sollën një të verbër e iu lutën ta prekte. Ai e mori të verbrin për dore, e nxori jashtë fshatit, pështyu në sytë e tij, i vuri duart dhe e pyeti: «A sheh gjë?». Ai ngriti sytë e tha: «Shoh njerëzit që duken si pemë që ecin». Jezui ia vuri përsëri duart mbi sy. I verbri filloi të shihte, u shërua e shikonte gjithçka qartë. Jezui e dërgoi në shtëpi e i tha: «Mos hyr fare në fshat». Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në fshatin e Cezaresë së Filipisë dhe, gjatë rrugës, i pyeti dishepujt: «Kush thonë njerëzit se jam unë?». Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia e të tjerë se je njëri nga profetët». Dhe ai i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti». Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për të. Ai filloi t'i mësonte se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por pas tri ditësh do të ngjallej. Ai ua tha haptas këto fjalë. Atëherë Pjetri e mori mënjanë e filloi ta qortojë. Por Jezui u kthye, pa nga dishepujt dhe e qortoi Pjetrin e i tha: «Largohu prej meje, Satan, se nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve». Dhe thirri pranë vetes turmën bashkë me dishepujt e u tha: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim e të ungjillit, do ta shpëtojë atë. Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? Çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? Nëse dikush ka turp për mua e për fjalët e mia para kësaj breznie të pafe e mëkatare, po ashtu do të ketë turp për ta edhe Biri i njeriut kur të vijë me engjëjt e shenjtë në lavdinë e Atit të tij».

Marku 8:22-38 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte. Atëherë e mori për dore të verbrin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë. Dhe ai, duke hapur sytë, tha: ''Po shoh njerëz si pemë që ecin''. Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka. Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: ''Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat''. Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cezaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: ''Kush thonë njerëzit se jam unë?''. Ata u përgjigjën: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët''. Dhe ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam?''. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: ''Ti je Krishti''. Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të. Pastaj nisi t'u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet. Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë. Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: ''Largohu nga unë, Satan, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!''. Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: ''Kushdo që do të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë, sepse ai që do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë. Ç'dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet? Sepse kujtdo që do t'i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t'i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë''.