Marku 8:1-21
Marku 8:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ato ditë u mblodh përsëri një turmë e madhe e meqë nuk kishin ç'të hanin, Jezui i thirri pranë vetes dishepujt e u tha: «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nëse i nis në shtëpi të uritur, do të mbeten rrugës dhe disa prej tyre kanë ardhur nga larg». Por dishepujt iu përgjigjën: «E si mund t'i ngopim me bukë këta njerëz këtu në shkretëtirë?». Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë». Ai e urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët, tha lutjen e falënderimit, i theu, ua dha dishepujve t'i shtronin dhe ata ia shtruan turmës. Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi i bekoi, u tha dishepujve t'i shtronin edhe këto. Ata hëngrën e u ngopën dhe mblodhën copat e mbetura. U mbushën shtatë shporta. Aty ishin gjithsej rreth katër mijë veta. Pastaj Jezui i shpërndau. Ai hipi menjëherë në varkë bashkë me dishepujt e shkoi në krahinën e Dalmanutës. Atëherë erdhën farisenjtë e filluan të diskutonin me të. Ata i kërkonin një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. Jezui psherëtiu thellë e tha: «Përse kjo brezni kërkon një shenjë? Me të vërtetë po ju them se kësaj breznie nuk do t'i jepet asnjë shenjë». Pastaj u largua prej tyre, hipi në varkë dhe kaloi në bregun tjetër. Dishepujt kishin harruar të merrnin bukë. Në varkë kishin vetëm një bukë. Jezui i porositi: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e nga tharmi i Herodit». Por ata i thanë njëri-tjetrit: «Flet kështu, se nuk kemi bukë me vete». Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po thoni? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni e nuk merrni vesh? A ju është ngurtësuar zemra? Keni sy e nuk shikoni? Keni veshë e nuk dëgjoni? Nuk ju kujtohet vallë kur theva pesë bukët për pesë mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Dymbëdhjetë». «Po kur theva shtatë bukët për katër mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Shtatë». Ai u tha: «Ende nuk kuptoni?».
Marku 8:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s'kishin ç'të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre: ''Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç'të hajë. Dhe po t'i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg''. Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: ''Si do të mund t'i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?''. Dhe ai i pyeti: ''Sa bukë keni?''. Ata i thanë: ''Shtatë''. Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë. Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t'i shpërndahen turmës. Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan. Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi. Dhe menjëherë hipi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës. Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: ''Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t'i jepet asnjë shenjë''. Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër. Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s'kishin asgjë përveç një buke. Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: ''Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!''. Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: ''Nuk kemi bukë''. Jezusi e vuri re dhe u tha: ''Përse diskutoni që s'keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë? Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend? Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?''. Ata thanë: ''Dymbëdhjetë''. ''Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?''. Dhe ata thanë: ''Shtatë''. Dhe ai u tha atyre: ''Po si, ende nuk po kuptoni?''.