Marku 5:25-34
Marku 5:25-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia. Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte, pa kurrfarë dobie, e sa vinte e përkeqësohej. Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas gunën. Ajo thoshte me vete: «Sikur t'ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj». Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast e ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja. Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe, si iu drejtua turmës, tha: «Kush m'i preku rrobat?». Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët e thua kush më preku?». Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur. Atëherë gruaja, e frikësuar e duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë e i tha gjithë të vërtetën. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe e qofsh e shëruar nga sëmundja jote».
Marku 5:25-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq, kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit, sepse thoshte: ''Nëse vetëm ia prek rrobën e tij, do të shërohem''. Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje. Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: ''Kush m'i preku rrobat? Dhe dishepujt e vet i thanë: ''A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: ''Kush më preku?''. Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë. Atëherë gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç'i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën. Dhe ai i tha: ''Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!''.