Marku 5:21-28
Marku 5:21-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui kaloi përsëri me varkë në bregun tjetër dhe një turmë e madhe u mblodh rreth tij. Kur ishte në breg të liqenit, erdhi njëri prej kryetarëve të sinagogës me emrin Jair dhe sapo e pa Jezuin, i ra ndër këmbë e iu lut shumë, duke i thënë: «Vajza ime e vogël është në grahmat e fundit, prandaj eja, vëri duart mbi të, që të shpëtojë e të jetojë!». Jezui shkoi me të dhe një turmë e madhe, që shtyhej nga të gjitha anët, i shkoi pas. Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia. Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte, pa kurrfarë dobie, e sa vinte e përkeqësohej. Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas gunën. Ajo thoshte me vete: «Sikur t'ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj».
Marku 5:21-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe kur Jezusi kaloj përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroj në breg të detit. Atëherë erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë, dhe ju lut me të madhe duke thënë: ''Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!''. Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij. Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq, kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit, sepse thoshte: ''Nëse vetëm ia prek rrobën e tij, do të shërohem''.