Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 5:1-20

Marku 5:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Arritën në bregun tjetër të liqenit, në vendin e gerasenëve dhe menjëherë, sapo doli Jezui nga varka, erdhi nga varrezat tek ai një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë. Ai banonte në varreza dhe askush nuk mund ta lidhte më as me zinxhirë, sepse disa herë e kishin lidhur me pranga e zinxhirë, por ai i kishte këputur zinxhirët e i kishte thyer prangat dhe askush nuk mund ta zbuste dot. Natë e ditë rrinte nëpër varre e nëpër male, duke bërtitur e duke e prerë veten me gurë. Kur e pa Jezuin nga larg, ai vrapoi, ra në gjunjë para tij dhe thirri me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të përbej për Perëndinë, mos më mundo!». Jezui i tha: «Shpirt i ndyrë, dil nga ky njeri!». Dhe e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai iu përgjigj: «Emri im është Legjion, se jemi shumë». Dhe djalli i lutej shumë Jezuit që të mos e dëbonte jashtë atij vendi. Aty pranë malit gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin. Shpirtrat e ndyrë iu lutën Jezuit e i thanë: «Na dërgo të hyjmë te derrat!». Dhe ai i lejoi. Atëherë shpirtrat e ndyrë, me të dalë prej tij, u futën te derrat dhe tufa që gati arrinte numrin dy mijë, u hodh nga humnera në liqen e u mbyt. Rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Ata erdhën pranë Jezuit dhe kur panë të pushtuarin nga djalli, atë që kishte pasur Legjionin, që rrinte ulur dhe ishte i veshur e me mendje në rregull, i zuri frika. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan çfarë kishte ndodhur me të pushtuarin nga djalli e me derrat. Atëherë ata iu lutën Jezuit që të largohej nga krahina e tyre. Ndërsa Jezui po hipte në varkë, njeriu që kishte qenë i pushtuar nga djalli i lutej të rrinte me të. Jezui nuk e lejoi, por i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju çfarë ka bërë Zoti e sesi tregoi mëshirë për ty». Atëherë ai u largua dhe nëpër mbarë Dekapojën shpallte atë që kishte bërë Jezui për të dhe të gjithë mahniteshin.

Marku 5:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e gadarenasve. Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili banonte në varreza dhe kurrkush s'kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë. Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap. Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë. Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij, dhe me një britmë të madhe tha: ''Ç'ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!;''. Sepse ai i kishte thënë: ''Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!''. Atëherë Jezusi e pyeti: ''Cili është emri yt?''. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ''Unë quhem Legjion, sepse jemi shumë''. Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë. Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste. Atëherë gjithë demonët e lutën duke thënë: ''Na dërgo në derrat, që të hymë në ta''. Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det. Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur erdhën te Jezusi, panë të demonizuarin ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, atë që ishte demonizuar nga Legjioni, dhe kishin frikë. Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të demonizuarit dhe çështjen e derrave. Atëherë ata filluan t'i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre. Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i demonizuar i lutej që të mund të rrinte me të; por Jezusi nuk e lejoj, madje i tha: ''Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të mëdha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty''. Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapoli për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrekulluan.