Marku 4:10-19
Marku 4:10-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat. Dhe ai u tha: «Juve ju është bërë e njohur e fshehta e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra, që, megjithëse kanë sy për të parë, të mos shohin, megjithëse kanë veshë për të dëgjuar, të mos marrin vesh, përndryshe do të ishin kthyer te Perëndia dhe ai do t'i falte ». Jezui u tha: «A nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t'i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Farat që gjenden rrugës ku është mbjellë fjala, janë ata që sapo e kanë dëgjuar fjalën, por menjëherë vjen Satani dhe e rrëmben fjalën që është mbjellë në ta. Farat që janë mbjellë në gurishtë janë ata që e pranojnë fjalën me gëzim sapo e dëgjojnë, por nuk kanë rrënjë në vetvete, sepse janë të përkohshëm dhe, kur vijnë vështirësitë e përndjekja për shkak të fjalës, bien menjëherë. Farat që kanë rënë në ferra janë ata që e kanë dëgjuar fjalën, por shqetësimet e kësaj jete, joshja e pasurisë dhe lakmia për gjëra të tjera hyjnë brenda tyre, ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme.
Marku 4:10-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën. Dhe ai u tha atyre: ''Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra, që: "Duke parë, të shohin, por të mos vënë re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen"''. Pastaj u tha atyre: ''Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëherë si do t'i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satani dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre. Po ashtu ata që e marrin farën mbi një gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë. Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.