Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 4:1-41

Marku 4:1-41 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jezui filloi përsëri t'i mësonte njerëzit në breg të liqenit dhe, ja, një turmë shumë e madhe u mblodh pranë tij. Ai hipi në varkën që ishte në liqen dhe u ul. E tërë turma qëndronte në breg të liqenit. Ai i mësonte me anë të shumë shëmbëlltyrave dhe, teksa i mësonte, u tha: «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë e ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, por u vyshkën kur doli dielli dhe, ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. Disa fara të tjera ranë ndër ferra e ferrat u rritën, ua zunë frymën e nuk dhanë fryt. Fara të tjera ranë në tokë të mirë e ndërsa rriteshin e zhvilloheshin, dhanë fryt e prodhuan njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë e një tjetër njëqindfish». Pastaj u tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!». Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat. Dhe ai u tha: «Juve ju është bërë e njohur e fshehta e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra, që, megjithëse kanë sy për të parë, të mos shohin, megjithëse kanë veshë për të dëgjuar, të mos marrin vesh, përndryshe do të ishin kthyer te Perëndia dhe ai do t'i falte ». Jezui u tha: «A nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t'i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Farat që gjenden rrugës ku është mbjellë fjala, janë ata që sapo e kanë dëgjuar fjalën, por menjëherë vjen Satani dhe e rrëmben fjalën që është mbjellë në ta. Farat që janë mbjellë në gurishtë janë ata që e pranojnë fjalën me gëzim sapo e dëgjojnë, por nuk kanë rrënjë në vetvete, sepse janë të përkohshëm dhe, kur vijnë vështirësitë e përndjekja për shkak të fjalës, bien menjëherë. Farat që kanë rënë në ferra janë ata që e kanë dëgjuar fjalën, por shqetësimet e kësaj jete, joshja e pasurisë dhe lakmia për gjëra të tjera hyjnë brenda tyre, ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. Por ka edhe nga ata që janë mbjellë në tokë të mirë. Këta e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt tridhjetë, gjashtëdhjetë e njëqindfish». Dhe u tha: «A mos ndizet kandili për ta vënë nën magje a nën shtrat? A nuk duhet vënë mbi mbajtësen e vet? Sepse nuk ka asnjë të fshehtë që s'do të zbulohet e asnjë të fshehtë që s'do të dalë në dritë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë». Pastaj u tha: «Kujdes çfarë dëgjoni! Me masën që do të matni, do të mateni edhe ju, madje edhe më shumë. Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë. Atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka». Dhe tha: «Mbretëria e Perëndisë është si ai njeriu që ka hedhur farën në tokë. Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin e rritet pa e ditur as ai sesi. Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra. Dhe kur piqet fryti, i vihet menjëherë drapri, se është koha e të korrave». Pastaj tha: «Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me cilën shëmbëlltyrë mund ta përfytyrojmë? Ajo është si fara e sinapit. Kur mbillet në arë, është më e vogla ndër farërat që ka toka, por pasi të jetë mbjellë, rritet e bëhet më e madhja ndër të gjitha barishtet e nxjerr degë aq të mëdha, saqë zogjtë e qiellit mund të strehohen nën hijen e saj». Jezui u shpallte atyre fjalën e Perëndisë me shumë shëmbëlltyra të tilla, në masën që ata ishin në gjendje të kuptonin. Nuk u fliste pa shëmbëlltyra, por kur ishin vetëm, ua shpjegonte të gjitha dishepujve të vet. Po atë ditë, kur ra mbrëmja, Jezui u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër». Ata e lanë pas turmën dhe e morën Jezuin me varkën në të cilën ndodhej. Me të ishin edhe disa varka të tjera. Atëherë filloi një erë e fortë. Valët përplaseshin mbi varkë dhe gati e mbushën plot me ujë. Jezui ishte në kiç, kishte vënë kokën mbi nënkresë e po flinte. Ata e zgjuan e i thanë: «Mësues, a nuk shqetësohesh se po mbytemi?». Jezui u ngrit, qortoi erën e i tha liqenit: «Hesht! Fashitu!». Era pushoi e u bë bunacë e madhe. Pastaj u tha: «Përse keni frikë? Ende nuk keni besim?». Atëherë ata i zuri një frikë e madhe e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që i binden edhe era, edhe liqeni?».

Marku 4:1-41 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit. Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij: ''Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë. Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën. Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s'kishte një tokë të thellë. Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha. Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt. Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli fryt që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind''. Pastaj ai u tha atyre: ''Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''. Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën. Dhe ai u tha atyre: ''Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra, që: "Duke parë, të shohin, por të mos vënë re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen"''. Pastaj u tha atyre: ''Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëherë si do t'i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satani dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre. Po ashtu ata që e marrin farën mbi një gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë. Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme. Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind''. Pastaj u tha atyre: ''A merret vallë llamba për ta vënë nën babune ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen? Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!'' Dhe u tha atyre: ''Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t'iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t'iu jepet edhe më. Sepse atij që ka, do t'i jepet, por atij që s'ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Tha akoma: ''Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe. Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si. Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra. Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë draprin, sepse erdhi koha e korrjes. Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim? Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe; por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj''. Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë. Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë. Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: ''Kalojmë te bregu matanë! Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla. Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej. Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?''. Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ''Pusho dhe fashitu!''. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe. Atëherë u tha atyre: ''Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?''. Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë