Marku 4:1-20
Marku 4:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui filloi përsëri t'i mësonte njerëzit në breg të liqenit dhe, ja, një turmë shumë e madhe u mblodh pranë tij. Ai hipi në varkën që ishte në liqen dhe u ul. E tërë turma qëndronte në breg të liqenit. Ai i mësonte me anë të shumë shëmbëlltyrave dhe, teksa i mësonte, u tha: «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë e ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, por u vyshkën kur doli dielli dhe, ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. Disa fara të tjera ranë ndër ferra e ferrat u rritën, ua zunë frymën e nuk dhanë fryt. Fara të tjera ranë në tokë të mirë e ndërsa rriteshin e zhvilloheshin, dhanë fryt e prodhuan njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë e një tjetër njëqindfish». Pastaj u tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!». Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat. Dhe ai u tha: «Juve ju është bërë e njohur e fshehta e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra, që, megjithëse kanë sy për të parë, të mos shohin, megjithëse kanë veshë për të dëgjuar, të mos marrin vesh, përndryshe do të ishin kthyer te Perëndia dhe ai do t'i falte ». Jezui u tha: «A nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t'i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Farat që gjenden rrugës ku është mbjellë fjala, janë ata që sapo e kanë dëgjuar fjalën, por menjëherë vjen Satani dhe e rrëmben fjalën që është mbjellë në ta. Farat që janë mbjellë në gurishtë janë ata që e pranojnë fjalën me gëzim sapo e dëgjojnë, por nuk kanë rrënjë në vetvete, sepse janë të përkohshëm dhe, kur vijnë vështirësitë e përndjekja për shkak të fjalës, bien menjëherë. Farat që kanë rënë në ferra janë ata që e kanë dëgjuar fjalën, por shqetësimet e kësaj jete, joshja e pasurisë dhe lakmia për gjëra të tjera hyjnë brenda tyre, ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. Por ka edhe nga ata që janë mbjellë në tokë të mirë. Këta e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt tridhjetë, gjashtëdhjetë e njëqindfish».
Marku 4:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit. Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij: ''Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë. Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën. Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s'kishte një tokë të thellë. Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha. Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt. Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli fryt që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind''. Pastaj ai u tha atyre: ''Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''. Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën. Dhe ai u tha atyre: ''Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra, që: "Duke parë, të shohin, por të mos vënë re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen"''. Pastaj u tha atyre: ''Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëherë si do t'i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satani dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre. Po ashtu ata që e marrin farën mbi një gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë. Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme. Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind''.