Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 3:22-35

Marku 3:22-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Por shkruesit që kishin ardhur nga Jerusalemi thoshin: «Ka Beelzebulin brenda dhe i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve». Jezui i thirri pranë vetes e filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «E si është e mundur që Satani të dëbojë Satanin? Nëse një mbretëri është e përçarë, kjo mbretëri nuk mund të qëndrojë më këmbë. Dhe nëse një shtëpi është e përçarë, kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë më këmbë. Nëse Satani është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk mund të qëndrojë më këmbë, por ka marrë fund. Por askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë nëse nuk e ka lidhur më parë të fortin. Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë. Me të vërtetë po ju them se gjithçka do t'u falet bijve të njerëzve, edhe mëkatet që kanë bërë, edhe fyerjet ndaj Perëndisë, por kushdo që fyen Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet në amshim. Ai është fajtor me mëkat të amshuar». Jezui i tha të gjitha këto, sepse ata thoshin: «Është i pushtuar nga një shpirt i ndyrë». Ndërkaq erdhën e ëma dhe vëllezërit e tij. Ata u ulën përjashta dhe dërguan dikë për ta thirrur. Një turmë rrinte ulur rreth tij e dikush i tha: «Nëna jote, vëllezërit e tu e motrat janë përjashta e po të kërkojnë». Ai iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». Pastaj vështroi ata që ishin ulur rreth tij e tha: «Ja nëna ime e vëllezërit e mi. Kushdo që bën vullnetin e Perëndisë është vëllai im, motra ime e nëna ime».

Marku 3:22-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshin: ''Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve''. Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: ''Si mundet që Satani të dëbojë Satanin? Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë. Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë. Kështu, në se Satani ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi! Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t'ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë. Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t'u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë; po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm''. Sepse ata thoshin: ''Ai ka një frymë të ndyrë!''. Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin. Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: ''Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë''. Por ai u përgjigj atyre duke thënë: ''Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?''. Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: ''Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi! Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!''.