Marku 16:1-7
Marku 16:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pasi kaloi e shtuna, Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit dhe Salomeja blenë vajra erëmirë, që të shkonin për të lyer trupin e Jezuit. Të dielën, herët në mëngjes, shkuan te varri sapo kishte lindur dielli. Ato i thanë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga gryka e varrit?». Por panë e vunë re se guri ishte rrokullisur, edhe pse ishte tepër i madh. Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh të veshur me një rrobë të bardhë që rrinte ulur në të djathtë e u shtangën. Por ai u tha: «Mos kini frikë! Ju kërkoni Jezuin e Nazaretit, të kryqëzuarin. Ai u ngjall. Nuk është këtu. Ja vendi ku e kishin vënë. Tani shkoni, u thoni dishepujve të tij e Pjetrit se ai po shkon përpara jush në Galile. Atje do ta shihni, siç ju ka thënë».
Marku 16:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin. Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli. Dhe thoshin në mes tyre: ''Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?''. Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh. Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura. Dhe ai u tha atyre: ''Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë. Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë''.