Marku 15:16-24
Marku 15:16-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë ushtarët e morën Jezuin dhe e futën në oborrin e pallatit, domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. E veshën me purpur dhe, pasi thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë. Pastaj filluan t'i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E godisnin në kokë me kallam, e pështynin dhe duke rënë në gjunjë, përkuleshin para tij. Pasi e tallën, ia hoqën petkun e purpurt dhe e veshën me rrobat e veta. Pastaj e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. Atëherë detyruan një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit e i Rufit, të mbartte kryqin e Jezuit. Kështu e çuan Jezuin në vendin e Golgotës që do të thotë «Vendi i Kafkës» dhe i dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Pastaj e kryqëzuan dhe hodhën short për të ndarë rrobat e tij, që të shihnin çfarë do t'i binte secilit.
Marku 15:16-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye. Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve!''. Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin. Pasi e tallën, ia hoqën purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij. Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës". I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t'i binte secilit.