Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 15:1-41

Marku 15:1-41 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në mëngjes herët kryepriftërinjtë së bashku me pleqtë, shkruesit dhe gjithë sinedrin, pasi u këshilluan, e lidhën Jezuin, e morën e ia dorëzuan Pilatit. Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». Ndërkaq kryepriftërinjtë e padisnin për shumë gjëra. Dhe Pilati e pyeti përsëri: «Nuk po jep asnjë përgjigje? Shiko për sa gjëra po të padisin». Por Jezui nuk iu përgjigj për asgjë, gjë që e çuditi shumë Pilatin. Për çdo festë Pashke Pilati lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. Një njeri që quhej Barabë gjendej në burg bashkë me disa kryengritës të tjerë, të cilët kishin bërë një vrasje në një kryengritje. Atëherë erdhi turma e filloi t'i kërkonte Pilatit atë që ai e kishte zakon të bënte për ta. Pilati i pyeti: «A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?». Sepse ai e kishte kuptuar se kryepriftërinjtë ia kishin dorëzuar Jezuin nga smira. Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën që në vend të tij të lironte Barabën. Pilati u tha përsëri: «Atëherë çfarë doni të bëj me atë që e quani mbret të judenjve?». Ata thirrën përsëri: «Kryqëzoje!». Por Pilati u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Atëherë ata thirrën edhe më fort: «Kryqëzoje!». Kështu Pilati, për të kënaqur turmën, liroi Barabën dhe, pasi e fshikulluan Jezuin, e dorëzoi që ta kryqëzonin. Atëherë ushtarët e morën Jezuin dhe e futën në oborrin e pallatit, domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. E veshën me purpur dhe, pasi thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë. Pastaj filluan t'i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E godisnin në kokë me kallam, e pështynin dhe duke rënë në gjunjë, përkuleshin para tij. Pasi e tallën, ia hoqën petkun e purpurt dhe e veshën me rrobat e veta. Pastaj e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. Atëherë detyruan një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit e i Rufit, të mbartte kryqin e Jezuit. Kështu e çuan Jezuin në vendin e Golgotës që do të thotë «Vendi i Kafkës» dhe i dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Pastaj e kryqëzuan dhe hodhën short për të ndarë rrobat e tij, që të shihnin çfarë do t'i binte secilit. Ishte ora nëntë e mëngjesit kur e kryqëzuan. Mbishkrimi me shkakun e dënimit thoshte: «Mbreti i judenjve». Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin. Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites. Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eloi, Eloi lema sabakthani? » që e përkthyer do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise? ». Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elinë». Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit e tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur». Jezui lëshoi një britmë të madhe e dha shpirt. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë. Kryeqindësi që rrinte përballë tij, kur e pa duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: «Me të vërtetë ky njeri paska qenë Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe disa gra që shikonin nga larg. Ndër to ishin Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit të vogël dhe e Josesë, si dhe Salomeja, të cilat e kishin ndjekur e i kishin shërbyer kur Jezui ishte në Galile; ishin edhe shumë të tjera që kishin ardhur me të në Jerusalem.

Marku 15:1-41 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedri bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit. Dhe Pilati e pyeti: ''A je ti mbreti i judenjve?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: ''Ti e thua!''. Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak. Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: ''Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!''. Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur. Dhe në çdo festë ishte zakon t'u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin. Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje. Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta. Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ''A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?''. Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira. Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t'u lironte atyre Barabanë. Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ''Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të judenjve?''. Dhe ata bërtitën përsëri: ''Kryqëzoje!''. Dhe Pilati u tha atyre: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ''Kryqëzoje!''. Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej. Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye. Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve!''. Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin. Pasi e tallën, ia hoqën purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij. Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës". I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t'i binte secilit. Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan. Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i judenjve". Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij. Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: ''Ai u përfshi ndër keqbërësit''. Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë, shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!''. Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshin njëri-tjetrit: ''Të tjerët i shpëtoi, por veten s'mund ta shpëtojë. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë''. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë. Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë. Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ''Eloi, Eloi; lama sabakthani?'', që e përkthyer do të thotë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''. Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshin: ''Ja, ai po thërret Elian!''. Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ''Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë''. Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën. Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund. Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: ''Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!''. Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Ioses dhe Salomeja, të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem.