Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 14:26-50

Marku 14:26-50 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve. Jezui u tha: «Ju të gjithë do të bini, sepse është shkruar: do ta godas bariun e delet do të shpërndahen. Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë bien, unë nuk do të bie». Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Por ai nguli këmbë: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë. Pastaj shkuan në një vend që quhej Gjetsemani dhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Rrini këtu sa të lutem». Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të ndiente frikë e ankth. Pastaj u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar». Pasi shkoi pak më tej, ra përdhe e lutej që, po të ishte e mundur, të largoheshin prej tij ato çaste vuajtjesh. Atëherë tha: «Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty. Largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti». Pastaj erdhi e i gjeti duke fjetur e i tha Pjetrit: «Simon, po fle? A nuk munde të rrish zgjuar as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». U largua sërish e u lut, duke thënë të njëjtat fjalë. Kur u kthye përsëri, i gjeti duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Ata nuk dinin si t'i përgjigjeshin. Pastaj erdhi për të tretën herë e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Mjafton. Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton». Dhe në atë çast, ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Kapeni e ruajeni mirë!». Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Mësues!» dhe e puthi. Atëherë ata e kapën dhe e ndalën. Njëri nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë mes jush në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por kjo u bë që të përmbushen Shkrimet». Atëherë të gjithë e braktisën e ikën.

Marku 14:26-50 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga Mali i Ullinjve. Dhe Jezusi u tha atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: "Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen". Por, mbasi të ringjallem, unë do t'ju pararend në Galile''. Dhe Pjetri i tha: ''Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem''. Dhe Jezusi i tha: ''Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë''. Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: ''Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë''. Të njëjtën gjë thoshin edhe gjithë të tjerët. Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: ''Uluni këtu, derisa unë të jem lutur''. Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi; dhe u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar''. Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë. Dhe tha: ''Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!''. Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: ''Simon, po fle? S'ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme? Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët''. U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë. Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t'i përgjigjeshin. Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: ''Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!''. Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë. Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: ''Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt''. Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: ''Rabi, Rabi!''; dhe e puthi përzemërsisht! Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan. Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: ''Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub? E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!''. Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë.