Marku 14:1-9
Marku 14:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas dy ditësh ishte Pashka dhe festa e Bukëve të ndorme. Kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin sesi ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull». Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, erdhi një grua që mbante një enë alabastri me mirrë nardi të kulluar që kushtonte shumë shtrenjtë. Ajo e theu enën dhe e derdhi mirrën mbi kokën e Jezuit. Aty gjendeshin disa veta që i thanë njëri-tjetrit të zemëruar: «Pse u bë gjithë ky shpenzim i kotë i mirrës? Kjo mirrë mund të ishte shitur për më shumë se treqind denarë e këto t'u ishin dhënë të varfërve». Dhe e qortuan gruan. Por Jezui u tha: «Lëreni të qetë! Përse e mundoni? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. Të varfrit i keni gjithmonë me ju e mund t'u bëni mirë kur të doni, por mua nuk më keni gjithmonë. Ajo bëri çfarë mundi. Që tani ma leu trupin me mirrë për varrim. Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».
Marku 14:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin. Por thoshin: ''Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli''. Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebros, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye. Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: ''Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit? Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t'u jepeshin të varfërve''. Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj. Por Jezusi tha: ''Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje. Sepse të varfrit do t'i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t'u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë. Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim. Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj''.