Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 10:17-31

Marku 10:17-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero atin tënd e nënën tënde! ». Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri. Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!». Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë. Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui i vështroi e tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur». Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje». Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që lanë shtëpi, vëllezër a motra, nënë ose atë, fëmijë ose ara për shkakun tim dhe për shkak të ungjillit nuk do të mbetet pa marrë, tani, në këtë kohë, së bashku me përndjekjet, njëqindfish, shtëpi, vëllezër, motra, nënë, fëmijë e ara, dhe jetën e amshuar në botën e ardhshme. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit e të fundit do të jenë të parët».

Marku 10:17-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: ''Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''. Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde"''. Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: ''Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time''. Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: ''Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq''. Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri. Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: ''Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!''. Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: ''O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria. Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë''. Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?''. Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ''Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë''. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: ''Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''. Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin, që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme. Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët''.