Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 9:18-34

Mateu 9:18-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ndërsa Jezui po fliste me ta, iu afrua një kryetar sinagoge, që i ra në gjunjë e i tha: «Sapo më vdiq vajza, por eja vëri duart mbi të dhe ajo do të jetojë». Jezui u ngrit e shkoi pas tij bashkë me dishepujt. Dhe ja, një grua që vuante nga hemorragjia prej dymbëdhjetë vjetësh iu afrua nga pas dhe i preku cepin e gunës. Sepse thoshte me vete: «Sikur t'i prek vetëm gunën, do të shpëtoj». Jezui u kthye, e pa e i tha: «Merr zemër, bija ime, besimi yt të shpëtoi». Dhe që nga ai çast ajo grua u shërua. Kur arriti te shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët e turmën e zhurmshme, Jezui tha: «Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën. Kur e nxorën turmën përjashta, ai hyri, e mori vajzën për dore dhe ajo u ngrit. Lajmi për këtë mrekulli u përhap në mbarë krahinën. Kur Jezui u largua që andej, i shkuan pas dy të verbër që thërrisnin: «Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!». Si arritën në shtëpi, të verbrit iu afruan dhe Jezui u tha: «A besoni se mund ta bëj këtë gjë?». Ata i thanë: «Po, o Zot!». Atëherë ai u preku sytë e u tha: «U bëftë sipas besimit tuaj!». Dhe atyre iu hapën sytë. Jezui i urdhëroi: «Kini kujdes se mos e merr vesh njeri». Por ata, sapo dolën, e përhapën lajmin në mbarë krahinën. Ndërsa po dilnin, i sollën një shurdhmemec që ishte i pushtuar nga djalli. Kur u dëbua djalli, shurdhmemeci foli dhe turmat u mrekulluan e thanë: «Nuk është parë asnjëherë një gjë e tillë në Izrael». Por farisenjtë thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».

Mateu 9:18-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: ''Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë''. Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij. Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobës së tij. Sepse thoshte me vete: ''Po të prek vetëm rrobën e tij, do të shërohem''. Jezusi u kthye, e pa dhe tha: ''Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar''. Dhe që në atë çast gruaja u shërua. Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte, u tha atyre: ''Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle''. Dhe ata e përqeshnin. Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit. Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend. Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!''. Kur arriti në shtëpi, të verbrit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: ''A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?''. Ata iu përgjigjën: ''Po, o Zot''. Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: ''U bëftë sipas besimit tuaj''. Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: ''Ruhuni se mos e merr vesh njeri''. Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend. Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar. Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: ''Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael''. Por farisenjtë thoshin: ''Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!''.