Mateu 9:18-26
Mateu 9:18-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ndërsa Jezui po fliste me ta, iu afrua një kryetar sinagoge, që i ra në gjunjë e i tha: «Sapo më vdiq vajza, por eja vëri duart mbi të dhe ajo do të jetojë». Jezui u ngrit e shkoi pas tij bashkë me dishepujt. Dhe ja, një grua që vuante nga hemorragjia prej dymbëdhjetë vjetësh iu afrua nga pas dhe i preku cepin e gunës. Sepse thoshte me vete: «Sikur t'i prek vetëm gunën, do të shpëtoj». Jezui u kthye, e pa e i tha: «Merr zemër, bija ime, besimi yt të shpëtoi». Dhe që nga ai çast ajo grua u shërua. Kur arriti te shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët e turmën e zhurmshme, Jezui tha: «Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën. Kur e nxorën turmën përjashta, ai hyri, e mori vajzën për dore dhe ajo u ngrit. Lajmi për këtë mrekulli u përhap në mbarë krahinën.
Mateu 9:18-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: ''Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë''. Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij. Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobës së tij. Sepse thoshte me vete: ''Po të prek vetëm rrobën e tij, do të shërohem''. Jezusi u kthye, e pa dhe tha: ''Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar''. Dhe që në atë çast gruaja u shërua. Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte, u tha atyre: ''Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle''. Dhe ata e përqeshnin. Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit. Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend.