Mateu 8:5-13
Mateu 8:5-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një kryeqindës e iu lut: «O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar e po vuan shumë». Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj». Kryeqindësi i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua e u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael. Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». Pastaj i tha kryeqindësit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!». Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.
Mateu 8:5-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur, dhe duke thënë: ''O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë''. Dhe Jezusi i tha: ''Do të vij dhe do ta shëroj''. Centurioni duke u përgjigjur i tha: ''Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. Sepse unë jam një njeri nën urdhrin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t'i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t'i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t'i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën''. Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ''Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh. Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve, por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve''. Dhe Jezusi i tha centurionit: ''Shko dhe u bëftë ashtu si besove!''. Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.