Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 6:1-24

Mateu 6:1-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Ruhuni të mos i bëni veprat e mira në sy të njerëzve për t'u dukur para tyre, se kështu nuk do të keni shpërblim tek Ati juaj që është në qiej. Kur të japësh lëmoshë, mos trumbeto me të madhe për të tërhequr vëmendjen, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër rrugë, që të marrin lëvdata nga njerëzit. Me të vërtetë po ju them: ata e kanë marrë tashmë shpërblimin e tyre. Por kur të japësh lëmoshë, dora jote e majtë të mos e dijë çfarë bën e djathta, në mënyrë që lëmosha jote të mbetet e fshehtë dhe Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë». «Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t'u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t'ia kërkoni. Prandaj ju lutuni kështu: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Na i fal detyrimet tona, siç edhe ne ua falëm detyronjësve tanë. E mos na vër në sprovë, por na çliro nga i ligu. Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve, por nëse ju nuk do t'ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t'jua falë juve ato». «Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t'u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë e laje fytyrën, që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë». «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t'i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote». «Syri është drita e trupit. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. Por, nëse syri yt është i sëmurë, tërë trupi yt do të jetë në errësirë. Nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!». «Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».

Mateu 6:1-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t'ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej. Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç'bën e djathta, që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas. Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t'i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht. Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t'u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë. Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t'i kërkoni. Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë. Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen". Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t'ua falë juve gabimet tuaja. Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t'u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën, me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht. Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj. Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira! Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t'i qëndrojë besnik njërit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.