Mateu 5:1-12
Mateu 5:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet. Atëherë mori fjalën e filloi t'i mësonte kështu: «Lum të varfrit në shpirt, se e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ata që vajtojnë, se do të ngushëllohen. Lum të butët, se do të trashëgojnë tokën. Lum të uriturit e të eturit për drejtësi, se do të ngihen. Lum të mëshirshmit, se do të mëshirohen. Lum zemërdëlirët, se do të shohin Perëndinë. Lum paqebërësit, se do të quhen bij të Perëndisë. Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë, se e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ju kur t'ju shajnë e t'ju përndjekin, të thonë të gjitha të këqijat kundër jush me gënjeshtra për shkakun tim. Gëzohuni e ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej. Kështu përndoqën edhe profetët para jush».
Mateu 5:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij. Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë: ''Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen. Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën. Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen. Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë. Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë. Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë. Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush''.