Mateu 27:45-55
Mateu 27:45-55 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eli, Eli, lema sabakthani ?» që do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise ?». Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar». Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve. Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë». Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg.
Mateu 27:45-55 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin. Rreth orës nëntë, Jezusi bërtiti me zë të lartë duke thënë: ''Eli, Eli, lama sabakthani?''. Domethënë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''. Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: ''Ky po thërret Elian''. Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë. Por të tjerët thoshin: ''Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar''. Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë. Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë; varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën; dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt. Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: ''Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!''. Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galileja për t'i shërbyer