Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 27:11-31

Mateu 27:11-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?». Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin. Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur që quhej Jezu Baraba. Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezuin që quhet Krisht?». Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira. Ndërsa Pilati ishte i ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij». Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën e të vrisnin Jezuin. Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t'ju liroj?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?». Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!». Ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!». Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës e tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!». I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin. Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar.

Mateu 27:11-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i judenjve?''. Dhe Jezusi i tha: ''Ti po thua!''. Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare. Atëherë Pilati i tha: ''A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?''. Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë. Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t'i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte. Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba. Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: ''Kë doni t'ju liroj, Baraban apo Jezusin, që quhet Krisht?''. Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira. Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: ''Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij''. Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonte Baraban, dhe Jezusi të vritej. Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: ''Cilin nga të dy doni që t'ju liroj?''. Ata thanë: ''Baraban!''. Pilati u tha atyre: ''Ç'të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?''. Të gjithë i thanë: ''Të kryqëzohet!''. Por guvernatori tha: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: ''Të kryqëzohet!''. Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: ''Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju''. Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: ''Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!''. Atëherë ai ua liroi atyre Baraban; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet. Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën. Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq. Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve!''. Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë. Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë