Mateu 25:14-30
Mateu 25:14-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri që, para se të nisej për në një vend të huaj, thirri shërbëtorët e vet e u besoi pasurinë. Njërit i dha pesëqind monedha ari, një tjetri dyqind e tjetrit njëqind, secilit sipas aftësisë që kishte. Pastaj u nis për rrugë. Ai që kishte marrë pesëqind monedha, shkoi menjëherë, bëri tregti me to dhe fitoi edhe pesëqind të tjera. Po ashtu, ai që kishte marrë dyqind monedha, fitoi edhe dyqind të tjera. Por, ai që kishte marrë njëqind monedha, shkoi, gërmoi tokën e i fshehu atje monedhat e zotërisë së vet. Pas një kohe të gjatë i zoti i këtyre shërbëtorëve erdhi e bëri llogaritë me ta. Ai që kishte marrë pesëqind monedha, erdhi e solli edhe pesëqind të tjera e tha: “Zotëri, më dhe pesëqind monedha, ja, fitova edhe pesëqind të tjera”. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti”. Edhe ai që kishte marrë dyqind monedha erdhi e tha: “Zotëri, më dhe dyqind monedha, ja, fitova edhe dyqind të tjera”. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti”. Edhe ai që kishte marrë njëqind monedha, erdhi e tha: “Zotëri, unë të njoh për njeri të rreptë, që korr ku nuk ke mbjellë e mbledh ku nuk ke shpërndarë, prandaj pata frikë dhe shkova e i fsheha në tokë monedhat që më dhe. Merri, ja ku i ke!”. Por i zoti iu përgjigj: “Shërbëtor i mbrapshtë e përtac. Ti e paske ditur se unë korrkam ku nuk kam mbjellë e mblidhkam ku nuk kam shpërndarë? Atëherë duhej t'i kishe futur paratë e mia në bankë që, kur të kthehesha, t'i merrja bashkë me fitimin. Prandaj merrjani këtij monedhat e jepjani atij që ka një mijë, se atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë e do t'i teprojë, por atij që nuk ka do t'i merret edhe ajo që ka. Shërbëtorin e pavlerë hidheni përjashta në errësirë, ku ka vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”».
Mateu 25:14-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
''Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një njeriu, që, kur po nisej për një udhëtim, i thirri shërbëtorët e tij dhe u besoi pasuritë e veta. Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij; dhe u nis fill. Tani ai që kishte marrë të pesë talentat shkoi, dhe bëri tregti me to dhe fitoi pesë të tjerë. Po ashtu edhe ai që kishte marrë dy talenta fitoi edhe dy të tjerë. Por kurse ai që kishte marrë një, shkoi, hapi një gropë në dhe dhe e fshehu denarin e zotit të vet. Tani mbas një kohe të gjatë, u kthye zoti i atyre shërbëtorëve dhe i bëri llogaritë me ta. Dhe ai që kishte marrë të pesë talentat doli përpara dhe i paraqiti pesë të tjerë, duke thënë: "Zot, ti më besove pesë talenta; ja, me ato unë fitova pesë talenta të tjerë". Dhe i zoti i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd". Pastaj erdhi edhe ai që kishte marrë të dy talenta dhe tha: "Zot, ti më besove dy talenta; ja, me ato unë fitova dy talenta të tjerë". Dhe zoti i tij i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd". Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: "Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë, prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd nën tokë; ja, unë po ta kthej". Dhe i zoti duke i përgjigjur i tha: "Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac, ti e dije se unë korr atje ku nuk kam mbjellë dhe vjel aty ku nuk kam shpërndarë; Ti duhet t'ia kishe besuar denarin tim bankierëve dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë me interes. Prandaj ia hiqni këtij talentin dhe ia jepni atij që ka dhjetë talenta. Sepse atij që ka do t'i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Dhe flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh"''.