Mateu 25:1-13
Mateu 25:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me dhjetë virgjëresha që morën kandilat e shkuan për të takuar dhëndrin. Pesë prej tyre ishin të marra e pesë të mençura. Të marrat, kur morën kandilat, nuk morën vaj me vete, ndërsa të mençurat morën enë vaji për kandilat. Dhëndri u vonua e ato dremitën të gjitha e i zuri gjumi. Por në mesnatë dikush thirri: “Erdhi dhëndri, dilni ta takoni”. Atëherë të gjitha virgjëreshat u zgjuan për të bërë gati kandilat. Të marrat u thanë të mençurave: “Na jepni pak nga vaji juaj, se po na fiken kandilat”. Por të mençurat u përgjigjën: “Jo, se pastaj nuk do të na mjaftojë as neve e as juve. Më mirë shkoni te tregtarët e blini”. Kur shkuan për të blerë, mbërriti dhëndri. Virgjëreshat që ishin gati, hynë së bashku me të në dasmë dhe dera u mbyll. Pastaj erdhën virgjëreshat e tjera e thanë: “Zotëri, zotëri, na e hap derën!”. Por ai u përgjigj: “Me të vërtetë po ju them se nuk ju njoh”. Rrini zgjuar, pra, se nuk e dini as ditën e as orën».
Mateu 25:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
''Atëherë mbretëria e qiejve do t'u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llambat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit. Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka. Budallaçkat, kur morën llambat e tyre, nuk morën me vet vajin; kurse të mençurat, bashkë me llambat, morën edhe vajin në enët e tyre. Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi. Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: "Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!". Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llambat e tyre. Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: "Na jepni nga vaji juaj, sepse llambat tona po na fiken". Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: "Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini". Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll. Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: "Zot, zot, hapna". Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh". Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut''.