Mateu 22:27-40
Mateu 22:27-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?». Por Jezui u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia: unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve». Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij. Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit, e pyeti për ta zënë në kurth: «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?». Jezui i tha: « Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde. Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari. Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: duaje të afërtin si veten. Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji dhe profetët».
Mateu 22:27-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në fund vdiq edhe gruaja. Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja''. Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë. Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë. Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç'ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve''. Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij. Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok. Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë: ''Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?''. Dhe Jezusi i tha: ''"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde". Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët''.