Mateu 2:2-11
Mateu 2:2-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
dhe pyetën: «Ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm ta adhurojmë». Kur e dëgjoi këtë mbreti Herod, u shqetësuan ai dhe tërë Jerusalemi. Atëherë mblodhi të gjithë kryepriftërinjtë e shkruesit e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Krishti. Ata i thanë: «Në Betlehem të Judesë, se kështu shkruan profeti: e ti, Betlehem, tokë e Judesë, nuk je aspak më i vogli ndër prijësit e Judesë, sepse prej teje do të lindë një prijës që do të jetë bariu i popullit tim Izraelit ». Atëherë Herodi thirri fshehurazi dijetarët dhe mori vesh prej tyre kohën e saktë se kur ishte shfaqur ylli. Pastaj i nisi për në Betlehem e u tha: «Shkoni e pyesni me hollësi për fëmijën dhe kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe unë e ta adhuroj». Pasi dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija. Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë. Si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, e ranë në gjunjë dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, temjan e mirrë.
Mateu 2:2-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
duke thënë: ''Ku është mbreti i judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar''. Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi. Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti. Dhe ata i thanë: ''Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit: "Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parëndësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin"''. Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë. Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: ''Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj''. Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija. Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.